SHPËRNDAJE

Të hënën më 28 tetor do të mbahet një aktivitet simbolik në përkujtim të ish-anetarit të VV’së, Astrit Deharit. Pritet të fillojë nga ora 18:00 në rrugën Rexhep Luci (afër Kino ABC) në Prishtinë, aty ku është ngritur edhe murali përkujtimor për Astrit Deharin.

“Do të mblidhemi së bashku në një aktivitet përkujtimor për ta shprehur solidaritetin dhe dhimbjen tonë me familjen Dehari. Derisa familja Dehari do të mbajë një fjalë rasti”, thuhet në njoftimin e grupit organizativ të marshit “Unë jam Astriti!”“Për kujtimin ndaj Astritit, do të mbulojmë rrugëkalimin me qirinj, lule dhe kartolina me mesazhe për familjen e tij”.

Rasti i Astrit Deharit u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Zvicra në të cilën thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje. Kërkohet të bëhet një hetim i ri për të shikuar edhe pista tjera përfshirë edhe përfshirjen e ndonjë personi të tretë në këtë ngjarje. S’përjashtohet krejtësisht as vetëvrasje, por, kërkohet të hetohet edhe pista nëse një person i tretë është i përfshirë në rast.

Raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë dhe as si është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën.

“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë E180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Dehari Astrit. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasje e z. Dehari Astrit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në konkluzionin e Ekspertizës së ardhur nga Zvicra.

Avokati dhe Familja e Deharit e kanë interpretuar ekspertizën duke thënë se ajo vërteton se Astriti është vrarë.

Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm terrorist mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes. Ka vdekur 78 ditë pasi ishte arrestuar derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i anëtarëve të VV’së është kthyer në rigjykim por ende s’është caktuar data.