SHPËRNDAJE

Komisioni Evropian ka planifikuar të investojë 2.5 milionë euro për Ballkanin Perëndimor në kuadër të programit Forumi i Investimeve të 6 Odave Ekonomike (WB6 CIF), për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në rajon.

Projekti do të mundësojë që më shumë se 1,200 ndërmarrje nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin mbështetje konkrete gjatë tre viteve të ardhshme, me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese, të bëhen furnizues të korporatave shumëkombëshe.

Sipas një deklarate të fundit, përcjell Telegrafi, thuhet se BE është e bindur se integrimi i fuqishëm ekonomik i Ballkanit Perëndimor është një hap përpara për rajonin në procesin e pranimit në BE dhe do të kontribuojë për një biznes më efikas dhe një cilësi më të mirë jetese për njerëzit.

Forumi i Investimeve të 6 Odave Ekonomike u krijua në gusht të vitit 2015 nga dhomat e tregtisë së Kosovë, Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Sllovenisë dhe Kroacisë me mbështetjen e Odës Ekonomike Federale të Austrisë (WKO) dhe Shoqatës së Dhomave Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë (DIHK).

Qëllimi i saj është, që ekonomitë e Ballkanit Perëndimor do të zhvillojnë një platformë të përbashkët për nxitjen e investimeve dhe të punojnë bashkërisht për paraqitjen e rajonit si një destinacion i shëndoshë investimi për komunitetin e biznesit të huaj.