SHPËRNDAJE

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë, ka deklaruar se Kosova është duke bërë çdo ditë ndryshime në infrastrukturën ligjore që t’iu krijohen kushte sa më të mirë investitorëve të huaj.

Ministri po ashtu ka kërkuar që marrëveshjet rajonale të shikohen si një rrugë dykahore dhe të respektohen nga të gjitha palët e involvuara.

“Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke punuar çdo ditë në infrastrukturën ligjore për thithjen e investimeve të huaja direkte, për efektet e para pas fillimit te zbatimi të Ligjit për Investime Strategjike”, tha Shala.

Ai ka treguar për mundësit që i ofron Kosova për investitorët e huaj, duke treguar se Kosova ka punuar shumë në ndërtimin e infrastrukturës moderne, duke mundësuar lidhjen me vendet e Ballkanit.

“Kosova tashmë ka autostradat më moderne që mundësojnë lidhjen e Republikës së Kosovës me vendet e Ballkanit për kohë rekodre. Po ashtu, kemi një rini jashtëzakonisht inovative, që e donë punën”, tha ai.

Sipas një komunikate të MTI-së, ministri bëri të ditur se janë duke punuar në reforma, dhe në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.

Ky Samit po mbahet në kuadër të procesit të Berlinit, me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.