Fushata e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, po merr përmasat e premtimeve të mëdha. Premtimet e tyre kryesisht po përqendrohen në fushën e zhvillimit ekonomik.
Ndonëse, zyrtarisht fushata zgjedhore hapet më 31 maj, partitë politike tashmë kanë shpalosur disa nga aspektet kryesore të programeve të tyre.
Rritja ekonomike deri në 8 për qind, hapja e vendeve të reja të punës, investime milionëshe në bujqësi, rritja e pagave në sektorin publik, subvencione dhe grante për bizneset, janë vetëm disa nga premtimet e partive politike.
Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partinë Nisma, ka premtuar rritje ekonomike deri në 8 për qind si dhe rritje të pagave në sektorin publik deri në 30 për qind.
Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancës Kosova e re dhe Alternativën, kanë premtuar rritje ekonomike 6 deri në 7 për qind dhe se deri në fund të mandatit katërvjeçar, buxheti sipas tyre, do të mbërrijë në 5 miliardë euro, nga 2 miliardë sa është aktualisht.
Tre kandidatë për kryeministër – tri opsione për qeverisje
Ndërkohë, subjekti më i madh opozitar gjatë mandatit të fundit të institucioneve, Lëvizja “Vetëvendosje”, ka premtuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes ‘fondit sovran dhe Bankës Zhvillimore’.