SHPËRNDAJE

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka thënë se gjendja e ndërmarrjes aktualisht është e keqe. Sipas tij, sivjet do të prodhohen 5700 tonë xehe më pak sesa në vitin e kaluar, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Gjiganti ekonomik kosovar “Trepça” vazhdon të mbetet peng i politikave joparimore të dy ish-partnerëve të koalicionit PDK e LDK, të cilët nuk kanë mundur të merren vesh për formimin e Bordit Mbikëqyrës.

Për 6 muaj, sa ka pasur afat Qeveria e Kosovës për ta formuar Bordin Mbikëqyrës, PDK-ja dhe LDK-ja nuk kanë mundur të merren vesh për njerëzit që do ta përbënin bordin, i cili pastaj do ta formonte Bordin Menaxhues, pa të cilat “Trepça” nuk mund të funksionojë dhe pa të cilat nuk mund të zbatohet as Ligji për “Trepçën”.

Që të dyja këto subjekte politike janë përpjekur që në borde në “Trepçë” t’i shtyjnë njerëzit e vet dhe në këtë mënyrë edhe është vonuar dhe tani duhet pritur për formimin e qeverisë së re që do të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, shkruan tutje “Zëri”.

“Qeveria e Kosovës ka pasur 6 muaj afat që të formonte Bordin Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues të kombinatit ‘Trepça’, që nënkuptonte edhe fillimin e zbatimit të ligjit për të, por kjo nuk është arritur prej miratimit të ligjit”, ka thënë drejtori i “Trepçës” Ahmet Tmava.

Sipas tij, i gjithë procesi ka mbetur i ngrirë deri pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe krijimit të qeverisë së re.

“Mospërfundimi i këtij procesi ka pasur efekte negative për ‘Trepçën’, pasi që nuk është arritur të fillohet me politikat zhvillimore. Me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme ka rënë edhe Qeveria, kështu që formimi i bordeve ka mbetur të bëhet me formimin e qeverisë së re të Kosovës. Kjo ka ndikuar shumë në zhvillimin e ‘Trepçës’ pasi që nuk mund të fillohet me politikat zhvillimore pa u regjistruar ndërmarrja e re. Bordi Mbikëqyrës i ‘Trepçës’, sipas ligjit është dashur të themelohet pas 6 muajve nga miratimi i saj në Kuvendin e Kosovës. Ai duhet të përbëhet nga 9 anëtarë, ekspertë të fushave të caktuara, që nevojiten për mbikëqyrjen e kombinatit. Ky bord më pas do të duhej të zgjedhë edhe anëtarët e Bordit Menaxhues të ‘Trepçës’”, ka sqaruar drejtori Tmava.