SHPËRNDAJE

21 vite pas vdekjes së Tupac Shakur, vjen në kinema një film kushtuar jetës së tij ku rrëfehet e vërteta, historia e reperit, aktorit, poetit dhe aktivistit të njohur.

Filmi biografik është titulluar sipas një prej albumeve të tij më të njohura “All Eyez On Me”, publikuar në vitin 1996. “All Eyez on Me” është drejtuar nga regjisori Benny Boom dhe shkruar nga Jeremy Haft, Eddie Gonzalez e Steven Bagatourian. Gjatë filmit shihen përpjekjet dhe sukseset e yllit të muzikës, por edhe problemet e tij. Janë edhe disa skena të këngëtarit përballë publikut ose në studio.

Në rolin e reperit të famshëm që vdiq në moshë mjaft të re, është Demetrius Shipp Jr., të cilit i është dashur që të humbasë mbi 15 kilogramë nga pesha e tij reale, për të arritur portretizimin sa më të saktë të Tupac. Përveç Demetrius Shipp Jr. në rolet e tjera interpretojnë edhe Kat Graham, Lauren Cohan, Hill Harper e Danai Gurira.

Deri më tani filmi ka arkëtuar mbi 43.8 milionë dollarë kundrejt një buxheti prej 40 milionë dollarë, ndërsa nuk mungojnë edhe vlerësimet pozitive të publikut dhe medias kritike./GazetaDirekt.com