SHPËRNDAJE

– Erika, çfarë vendi zënë kënga dhe klipi “Bang Bang”, në repertorin e këngëve të tua të deritanishme?

– Kënga “Bang Bang”, është një këngë ritmike. Kjo këngë, si edhe këngët e tjera të miat, zënë një vend të rëndësishëm në karrierën time muzikore. Me djemtë dhe vajzat e Fourinfinit jemi munduar të realizojmë diçka të mirë dhe shpresoj t’ia kemi dalë.

– Me çfarë të bën për vete stina e verës? Çfarë të josh më shumë prej saj?

– Normal, si çdo njeri tjetër, në stinën e verës më tërheq plazhi dhe bregdeti.

– Në jetë, je më tepër e dhënë pas gjërave të lehta apo atyre të vështira?

– Varet se për çfarë është fjala. Nuk e di… Mundohem të gjej zgjidhje për çdo gjë që është e vështirë dhe nëse nuk e arrij, mundohem prapë e prapë.

– Çfarë ka të veçantë në mënyrën se si bën ti muzikë?

– E veçanta është se çdo këngë e këndoj me shpirt.

– Çfarë e bën botën të rrotullohet?

– Vetë bota e rrumbullakët është; çdo gjë brenda saj e bën të rrotullohet.

– Censurimi i një videoklipi u bën keq televizioneve apo këngëtarëve?

– Për ne jo, për ata po, por edhe ne duhet të mendojmë ku ta transmetojmë klipin.

– Cili do të jetë objektivi yt i radhës?

– Një klip i ri akoma më i bukur dhe me nivel. Gjithmonë kërkoj më të mirën.

– Cila është hera e fundit kur ke qeshur me të madhe?

– Mbrëmë me shoqen time gazetare. (Qesh)

– E konsideron veten femër seksi?

– Kështu thonë të tjerët…

– Çelësi i suksesit tënd…

– Jam vetja, jam origjinale!

– Si i ke marrëdhëniet me kolegët/koleget?

– I respektoj dhe gjithashtu, më respektojnë.

– Më të mira i ke me kolegët meshkuj apo femra?

– Njësoj, nuk dua të bëj dallime.

– Cila nga artistet është mikesha jotë më e mirë?

– Prapë nuk dua të bëj dallime. (Qesh)

– Kë ndjen si rivalen më të fortë në muzikë?

– Secila këndon për vete, kështu që nuk e shikoj asnjë si rivale.

– Ka bërë mëkate Erika?

– Me dijen time, jo. Nuk e di, ndoshta pa dashje edhe kam bërë, por jam një person që nuk dua të bëj keq në asnjë moment dhe gjithashtu, dua t’i shoh të gjithë njerëzit të lumtur. Nuk dua të shoh dhe as të dëgjoj gjëra të këqija.

– Për çfarë mund të ndodhte ta lije këngën?

– Ishalla nuk do të më ndodhë asnjëherë në jetë të mendoj për një gjë të tillë, sepse me muzikë jam rritur dhe nuk e imagjinoj dot veten pa muzikë.

– Komplimentet që të pëlqejnë e të tjera që të nervozojnë, kur të drejtohen me to…

– Kur marr komplimenta ndihem mjaft mirë, por edhe kritikat nuk i lë anash sepse ndonjëherë, mund të jenë edhe të mira.

– Çfarë mendon për barcaletat për biondet?

– (Qesh) Vetë fjala barcaleta, tregon thjesht shaka të sajuara.

– Në fund…!

– Në fund faleminderit për këtë intervistë, pushime të mbara të gjithëve! Ju dua Erika!