SHPËRNDAJE

Dy premiera botërore, dy ndërkombëtare, gjashtë rajonale dhe gjashtë kosovare përbëjnë programin e PriFest 2017, dokumentarë që do të shfaqen para publikut Kosovar nga data 13-20 korrik.
Pas gjashtë vitesh si program promovues PriDocs, programi për dokumentarë i PriFest, në edicionin e 9-të këtë vit, vjen me karakter garues dhe në këtë program do të shfaqen gjithsej 16 filma në garë.
Filmat vijnë nga vende të ndryshme të botë si Gjermania, Bosnja dhe Hercegovina, Spanja, Izraeli, Zvicra, Palestina, Çekia, Franca etj. dhe shumica e tyre do të prezantohen nga vetë autorët, që do të jenë prezentë si mysafirë në festival.
Filmat dokumentarë në këtë program premtojnë të zgjerojnë horizontet e audiencës së festivalit me tematika sociale që nisin nga lufta, politika dhe armët e deri te mbrojtja e ambientit, dashuria dhe sportet që thyejnë kufijtë e shteteve. Ky program pritet të sjellë me të vërtetë shumë filma të veçantë, në mesin e tyre edhe filmin “Ghost Hunting” ,i cili shënoi suksesin e vet si fitues i çmimit kryesor “Grand Prix Award” në Berlinale.
Po aq i rëndësishëm është edhe filmi “See you in Chechnya”, në të cilin regjisori Alexander Kvatashidze në 68 minuta përmbledh pamje ekskluzive dhe historitë rrëqethëse të reporterëve të luftës famëkeqe në Çeçeni, të cilët i takoi atje, pasi nisi rrugëtimin e tij i tërhequr nga dashuria ndaj një fotoreportereje të luftës./GazetaDirekt.com