SHPËRNDAJE

Rrugët e qyteteve dhe fshatrave të Tibetit ne Kinë, tri vitet e fundit janë të vërshuara nga qentë gjigantë dhe agresivë të cilët shkaktojnë frikë dhe panik në mes të banorëve lokal. Bëhet fjalë për mastifët tibetan, deri para disa viteve një prej llojeve më të vlerësuara dhe më të shtrenjta në botë. Para tri viteve një mastif tibetan u shit madje për 2.7 milionë dollarë dhe në atë kohë ishte qeni më i shtrenjtë në botë.

Tani shtrohet pyetja, si është e mundur që dikur qentë më të shtrenjtë në botë sot janë të padëshiruar në një prej pjesëve më të varfra në botë.

Arsyeja është lakmia e njeriut.

Gjatë kërkesës më të madhe të masivëve, kinezët filluan t’i rrisin në mënyrë masive për t’u pasuruar shpejtë. Mirëpo, në vitin 2015 askush më nuk ishte i interesuar për këta qenë dhe menjëherë mijëra mastifë mbetën nëpër oborre të kinezëve të pasur. Natyrisht, ishte shumë  shtrenjtë që të kujdesen për ta dhe në fund i lëshuan nëpër rrugë.

Për fat të keq, qentë shumë të bukur por mjaft agresiv, sot janë të padëshiruar në të gjithë Tibetin. Gati çdo ditë banorët lokal sillen në mënyrë më brutale ndaj tyre. I rrahin, i vrasin dhe i lënë nëpër rrugë. Të vetmit të cilët po tentojnë të kujdesen për ta janë klerikët budistë të cilët nëpër gjithë Tibetin kanë hapur strehimore për ta. Në strehimoren e Lhasit gjenden rreth 7.000 qenë.

Por këta qenë kanë pasur edhe ditët e bukura, në vitin 2014 një biznesmen kinez e bleu një mastif për 2.7 milionë dollarë, ndërsa një pasanike ekstravagante para pesë viteve kishte paguar 600.000 dollarë për një qen të këtij lloji, dhe mënyra se si arriti qeni në vilën e saj ka mbetur e shkruar si një prej tregimeve më bizare të Kinës.

Në aeroport këlyshin e ka pritur gjithë elita e atij vendi, ndërsa nga aeroporti deri te shtëpia e re e tij, qeni u transportua me kolonën prej 30 veturave luksoze.

Natyrisht, këto marrëzira i kanë stimuluar shumë tibetianë që të fillojnë t’i rrisin këto qenë, por në fund shumë pak prej tyre patën sukses.

Në vitin 2015, për shkak të ofertës së madhe të këtij lloji çmimi ra deri në 1.500 dollarë, dhe më pas askush nuk i dëshironte prandaj u hodhën nëpër rrugë ku paraqitnin problem serioz për banorë lokal.

Tani vetëm luftëtarët për mbrojtje të kafshëve përpiqen t’i shpëtojnë ata, siç është Samdrup, i cili më parë ishte marrë me biznesin e rritjes së mastifëve tibetian. Por tani ai kujdeset për rreth 40 mastifë, dhe të gjithë i ka sterilizuar.

“Këtë problem e kanë shkaktuar njerëzit. Në fund qentë e gjorë po e paguajnë çmimin”, ka shkruar një komentues në rrjetin social Weibo