SHPËRNDAJE

Peshkatari palestinez Jihad al-Soltan u befasua kur afër plazhit të Gazës, në det e vërejti mesazhin në shishe.

Shishja me mesazh kishte kaluar nëpër Detin Mesdhe rrugën prej gati 800 kilometra, ndërsa është hedhur nga plazhi në Rodos. Në det e kishte hedhur një çift i ri britanik të cilët në korrik ishin me pushime në Rodos.

“Momentalisht jemi në pushim në Rodos dhe do të kishim dashur të dimë se deri ku ka notuar kjo shishe. Na lajmëroni, madje edhe nëse ka arritur deri në plazhin fqinj”, shkruante në mesazh të cilin e kishin nënshkruar Zack dhe Beth, transmeton gazetametro.net

Duke u përgjigjur në adresën e-mail të shënuar në mesazh, Soltan ka zbuluar se mesazhin në shishe e kanë dërguar studentja Beth Wright dhe i dashuri i saj Zack Mariner.

Soltan ka thënë se ishte i befasuar kur kishte kuptuar se shishja i kishte “depërtuar” të gjitha pengesat në Mesdhe, duke marrë parasysh bllokadën detare të Izraelit dhe zonën e kufizimit për peshkim, të cilën e kanë futur izraelitët me arsyetim se është e nevojshme në mënyrë që të pengohet kontrabanda e armëve nga ana e Hamasit.

“Në dallim prej nesh, peshkatarëve, të cilët nuk guxojmë të lundrojmë më larg se gjashtë mile nga bregu, kjo shishe ka arrit të kalojë nëpër ujërat ndërkombëtare dhe t’i kalojë shumë kufi. Shpresoj se një ditë edhe ne do të jemi kështu të lirë”, ka thënë Soltan.