SHPËRNDAJE
Bota edhe më tutje po vazhdon të përballet me virusin e quajtuar, COVID 19.
Fjala “sfidë” përdoret për t’iu drejtuar dikujt për të hyrë në një ndeshje apo në një garë me të.
Është një qëndrim i guximshëm e mospërfillës ndaj një kundërshtari edhe kur ky i fundit ka epërsi në numër, mjete apo fuqi. Mesa duket edhe COVID 19 e ka të qartë qëllimin e tij… “ Ti shpallë luftë çdo individi të shtatë kontinenteve”, sfidë të cilën disa e superojnë dhe e kthejnë në imunitet e të tjerë i “damkos” si viktima të tij. Por, cili është qëllimi i kësaj epoke?
Muajve të fundit të gjithëve na është dashur të përballemi me situata për të cilat nëse do na flitej një vit më parë, nuk do i besonim dhe personin, të cilin do na servirte këtë informacion do e quanim “të depresionuar”, “negativ” apo do ia vinim fajin ndonjë filmi me një virus famëkeq që ai person mund të kishte parë. Por, realiteti dhe momenti në të cilin gjendemi po na tregon dhe mëson se së pari duhet të heqim dorë nga gjykimi i personave dhe ideve të tyre. Ky pra, është hapi i parë drejt një jete pozitive e pa komplekse. Duke pranuar të tjerët ashtu siç janë, ne tregojmë se ndjehemi mirë me veten dhe mendimet tona.
Së dyti COVID 19 po i dëshmon shoqërisë se familja duhet të ketë vëmendjen dhe kujdesin e duhur nga të gjithë anëtarët. Familja është njësi e vogël e organizimit të jetës shoqërore, që përbëhet nga burri, gruaja, fëmijët ose edhe nga njerëz të tjerë të afërt, pra njerëz që rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët. Në kuadrin e distancimit social, ky virus po edukon individin të jetë sa më protektiv dhe ti japë vëmendjen e duhur shëndetit. Në një farë mënyre po instrukton edhe të rinjtë që të mos abuzojnë me shëndetin dhe energjinë për gjëra të pavlera dhe momentale. Gjithashtu po drejton dhe po vendos orare për sa i përket përfundimit të punës, takimeve të tejzgjatura joefektive me miqtë dhe kthimit në shtëpi.
Së treti Koronavirus po “mbyll gojën” e shoqërisë. Vërtetë tingëllon absurde por, duke e parë nga një këndvështrim pozitiv, maskat e puthitura me fytyrat tona po flasin. Po tregojnë se thashethemet, gjykimet dhe paragjykimet e urimi i të keqes ndaj dikujt duhen eleminuar, sepse përveç mllefosjes dhe nxirjes së shpirtit, nuk sjellin asgjë tjetër pozitive. Po ashtu thotë se duhet të mos e lodhim më veten me shtirje. Të mos puthemi e përqafohemi me të gjithë vetëm për shkak të një edukimi apo mentaliteti, që nuk e di se nga e ka prejardhjen. Maska po flet. Thotë se mjafton një buzëqeshje me sy për të treguar dashamirësinë, pra përqafimet e puthjet plot lajka dhe fjalë pas krahëve sot e kanë humbur fuqinë.
Së katërti COVID 19 po vë përpara përgjegjësive punonjësit e administratës e po ashtu edhe drejtuesit e fakulteteve dhe universiteteve. Po detyron ti jepet një vëmendje më e madhe studentëve dhe kushteve të mësimdhënies. Pra, po krijohet një platformë interaktive dhe më komode mësimi, të cilën kur e vërenim në shtete të tjera nëpër botë e dëshironim, por nuk mundoheshim ta krijonim dhe bënim tonën për arsye të pabaza edhe pse krijimi ishte në plan prej disa vitesh. Dëgjojmë shpesh se shumë nga ne, studentët pra, ankohen për cilësinë e kësaj mënyre mësimdhënie. Por nëse e provojmë ta shohim me syrin kritik, kjo ishte diçka e domosdoshme dhe ashtu si çdo fillim ka vështirësitë e veta. E rëndësishme është që të gjithë të kemi dëshirën e mirë për ta avancuar këtë metodë dhe për ta bërë akoma më të përshtatshme dhe efektive për ne e brezat e tjerë pasardhës.
Së pesëti Virusi Kurorë po shtyn individin drejt besimit të pastër në Zot. Më shumë se më parë, vëmë re dhe dëgjojmë më shumë persona të përmendin dhe luten Zotit. Pa dallim feje, të gjithë po mundohen të duken dhe jenë sa më besimtarë. Individi duhet të mësojë të ruhet dhe të zbatojë rregullay e fesë në të cilën beson, jo vetëm në momente të vështira në të cilat rrezikon jetën.
COVID 19 do kujtohet gjithmonë si një virus famëkeq e vdekjeprurës, por e rëndësishme është ta kalojmë këtë vështirësi dhe e vetmja mënyrë është qëndrimi pozitiv dhe edukimi e mirëedukimi i vetes dhe familjarë e tanë. Sa më të lumtur, të mirëushqyer, sa më pak dashakeq, sa më të vëmendshëm të jemi ndaj njerëzve tanë dhe sa më të thjeshtë, aq më imunë jemi ndaj viruseve. Me sa duket shoqërisë njerëzore ky mesazh i duhej në këtë fund dekade.