SHPËRNDAJE

Fëmijët janë vazhdimësia e jetës dhe si të tillë duhet kujdesur për ta dhe në rastet kur kanë probleme shëndetësore duhen kuruar dhe trajtuar më shumë kujdes. Dr Artan Koni si specialist i fushës së urologjisë shpjegon me detaje një nga patologjitë më të shpeshta tek fëmijët me infeksione urinare të përsëritura.

 

-Dr Koni, a mund të bëni një përshkrim mjekësor se çfarë është refluksi urinar, duke qenë se është një problem që është hasur shpesh apo jo?

– Po, është e vërtetë, fefluksi është një patologji e lindur e cila haset shpesh në popullsi. Një pjesë e këtyre kalon vetvetiu brenda vitit të parë të jetës, duke mos shkaktuar asnjëherë infeksione urinare të fëmijët. Një pjesë tjetër nuk kalon vetvetiu dhe na shfaqet ne formën e infeksioneve të shpeshta urinare. Një pjesë relativisht më e vogël e reflukseve përkeqësohet me kalimin e viteve, e nxitur nga probleme të tjera të rrugëve urinare. Infeksionet urinare kurohen me antibiotikë, por infeksionet e shpeshta dëmtojnë gradualisht veshkën. Prandaj, në raste të infeksioneve të shpeshta urinare, nuk mjafton vetem kura me antibiotikë. Dëmtimi i veshkave vjen gradualisht, nuk ndodh menjëherë, duke bërë kështu që ky problem të mos bjerë shumë në sy. Por, infeksionet e shpeshta urinare janë shkaktari kryesor i insuficencës renale në vendin tonë.

image2.jpeg

– Si bëhet diagnostikimi i këtij problemi?

-Diagnostikimi i këtyre fëmijëve mund të bëhet me disa mënyra, të cilat varen nga gjendja klinike e tyre. Cistouretrografia miksionale (VCU) është ekzaminimi më i rëndësishëm në rastet me refluks urinar. Megjithëse është e rëndësishme, VCU është një ekzaminim invaziv dhe mund të anashkalohet në paciente të veçantë. Kështu që jo të gjithë fëmijët duhet t’a bëjnë patjetër këtë ekzaminim, gjithçka varet nga gjendja klinike e fëmijës.  Ultrasonografia (eko) është një ekzaminim tjetër shumë i rëndësishëm, jo vetëm për vendosjen e diagnozës, por edhe për ndjekjen në vazhdimësi të fëmijëve. Nëse veshkat apo kanalet urinare janë të zgjeruara, duhet konsultuar me një urolog pediater per te perjashtuar refluksin urinar. Shintigrafia renale është një tjetër ekzaminim i rëndësishem i cili na jep informacion në lidhje me dëmtimin e veshkave. Në raste kur veshkat kanë filluar të dëmtohen, edhe trajtimi i refluksit bëhet në mënyrë më invazive. Pas moshës 1 vjeçare, dëmtimi i veshkave është i pakthyeshëm, për këtë arsye refluksi urinar është një problem të cilit i duhet kushtuar rëndësia e duhur.

-…dhe si trajtohet refluksi urinar?

-Ka disa mënyra për të trajtuar refluksin urinar, e cila bëhet në bazë të gjendjes së fëmijës dhe sigurisht bisedës me prindërit. Në rastet me refluks të lehtë dhe pa infeksione urinare të shpeshta, ndjekja e fëmijës mund të jetë një zgjidhje, sepse një pjesë e reflukseve kalojnë vetvetiu.

– Si duhen marrë antibiotikët tek fëmijët?

– Dhënia e antibiotikëve me doze të reduktuar është e rëndësishme te fëmijët me infeksione të shpeshta urinare, sepse parandalimi i infeksioneve do të thotë parandalim i dëmtimit të veshkave. Në rastet me refluks të rëndë, kirurgjia e refluksit bëhet e domosdoshme. Kirurgjia endoskopike preferohet vitet e fundit, sepse jo vetëm që është një operacion i shkurtër, por edhe nuk ka problemet e operacioneve të hapura.

– A është kirurgjia ajo që jep më shumë efekt në rastet me refluks?

– Kirurgjia endoskopike nuk është e efektshme në të gjitha rastet me refluks, kështu qe zgjedhja e operacionit të hapur apo të mbyllur bëhet në varësi të gjendjes klinike të fëmijës, duke e diskutuar edhe me prindërit e tij. Operacioni i hapur zgjidh problemin e refluksit dhe ka pak komplikacione post-operatore. Gjithsesi, ky lloj operacioni preferohet të fëmijët me refluks të rëndë urinar.

-A duhet ndjekur fëmija që vuan nga kjo patologji në mënyrë konstante?

-Ndjekja në vazhdimësi e fëmijës është gjëja më e rëndësishme në rastet me refluks urinar, sepse refluksi mund të ndryshoje me kalimin e kohës, për mire apo për keq. Mënyrat e ndryshme të kurimit mund të diskutohen me urologun pediatër sa herë qe ndryshon gjendja klinike e fëmijës. Infeksionet e shpeshta urinare te fëmijët duhet të jenë një këmbanë për çdo prind, sepse refluksi urinar është sëmundje e fshehtë dhe nuk jep shenja, por dëmton veshkat me kalimin e kohës.