SHPËRNDAJE

Në kushtet e motit me temperatura të larta që ka përfshirë vendin tonë, ekspertët e kontrollit ushqimor i bëjnë apel tregtarëve të tregojnë kujdes me kushtet e ruajtjes së produkteve ushqimore dhe veçanërisht me ujin e ambalazhuar që blejmë për konsum, pasi mund te kthehet në një rrezik për shëndetin, nëse subjektet tregtare që e shesin këtë produkt, nuk e ruajnë në kushtet e duhura.

Nga një vëzhgim i tregut ushqimor, përjashto qendrat e marketeve të mëdha, bizneset e vogla tregtare, kujdesi për të ruajtur ujin në kushtet e kërkuara mungon thuajse në çdo dyqan. Ai vendoset ne ambiente te hapura,madje në disa raste edhe jashtë ambientit të dyqanit në diell, teksa termometri shënon në këtë sezon veror temperatura të larta.

Specialistët e kontrollit ushqimor, bëjnë apel që uji të ruhet ne temperatura mbi 18-20 grade, në rastet e temperaturave më të larta, thonë ata, uji i ambalazhuar mund të krijojë baktere të rrezikshme. Nga kontrollet e deri tanishme uji i ambalazhuar rezulton pa probleme dhe brenda standardeve.

Gjatë këtij sezoni veror, inspektorët e ushqimit kanë forcuar kontrollet në njësitë tregtare për të shmangur çdo rrezik nga ushqimet që u ka kaluar afati i përdorimit, apo që mund të preken nga temperaturat e larta. /b.d