SHPËRNDAJE

Rreth 9 mijë qytetarë kanë nënshkruar deri tani peticionin përmes të cilit synohet që t’i jepet fund monopolit të Devollëve në homologim dhe obligimit në tërësi. “Liberalizim” të këtij tregu kanë kërkuar së fundi edhe ambasadori gjerman, Oda Amerikane dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë. Për këtë punë ka debatuar edhe Kuvendi duke e miratuar një rezolutë. Ndërkohë, Ministri Pal Lekaj ka thënë se do ta shqyrtojnë heqjen e monopolit të homologimit por brenda 6 muajsh.

Para dy javësh, qytetarë nga i gjithë vendi kanë filluar nënshkrimin e një peticoni online

lidhur me procesin e homologimit të veturave. Nisma për këtë peticion ka qenë e ekonomistit Hekuran Murati, derisa përmes tij po kërkohet që t’i jepet fund obligimit për homologim. Deri tani peticioni është nënshkruar nga rreth 10 mijë qytetarë. Për nisma legjislative, sipas Kushtetutës së Kosovës, nevojiten 10 mijë nënshkrime.

“Nuk ka nevojë që 99% e qytetarëve të paguajnë kot, për shkak se 1%-shi tjetër importon vetura të pastandardizuara. Prandaj rruga e duhur është që obligimi ligjor për homologim të hiqet në tërësi. Për këtë nevojitet që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë Ligjin për Automjete. Është koha që deputetët të tregojnë se a janë me të vërtetë përfaqësues të popullit apo marioneta të oligarkëve”, thuhet në peticion.

Ndërkohë, para më shumë se një jave, deputët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutë për ndalimin e monopolit në homologim.

Sipas kësaj rezolutës ndër të tjera kërkohet ndërprerja e udhëzimit administrativ të vitit 2018 për homologimin e automjeteve, dhe që brenda gjashtë muajve prej miratimit të kësaj rezolute të liberalizohet tregu i homologimit.

Pas miratimit të kësaj rezolute dhe presionit të ndërkombëtarëve, Ministri i infrastrukturës Pal Lekaj ka thënë se do të fillojnë shqyrtimin e mundësive të ndryshimit të automjeteve.

“Ne jemi për respektim të vullnetit të deputetëve dhe do të fillojmë shqyrtimin e mundësive të ndryshimit të ligjit të automjeteve. Unë kam shprehur vullnetin e mos lejimit të monopolit, por respektojmë ligjin”, ka thënë Lekaj për Express.

Më pas Lekaj në një deklarim tjetër ka thënë se për këto ndryshime duhen 6 muaj.

Ndryshe, kundër monopolit të Devollëve në homologim janë shprehur edhe ambasadori gjerman në Kosovë dhe Oda Amerikane.