SHPËRNDAJE

Nismës për Kosovën iu nda Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por duket se ajo do ta ketë problem për të gjetur prijësin ideal të këtij dikasteri. Sot u përfol Jakup Krasniqi si mundësi për ta udhëhequr këtë dikaster, mirëpo ai nuk mendon ashtu.

I kontaktuar nga Metro, Krasniqi ka mohuar se emri i tij po diskutohet për të qenë ministër.

“ Nuk ka gjë të vërtetë nga ai lajm”, ka thënë Krasniqi.

Madje, Krasniqi ka thënë se për Arsimin duhet angazhim i gjithë faktorëve, por ai është shprehur skeptik se ‘arsimit do t’i qasen me gjithë mend’. Ai dyshon në koalicionin e ri, pasi thotë se nuk e din që kjo përbërje politike mund ta marr seriozisht arsimin.

“Nuk e di sesa kjo përbërje politike është e gatshme që arsimit t’i qaset me gjithë mend?”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi madje ka thënë se duhet shumë guxim për t’u përballur me problemet e arsimit në këtë, siç ai e quan, ‘katrahurë politike’.

I pyetur se nëse i kërkon Nisma që të jetë ministër a do ta pranonte, Krasniqi ka thënë se Nisma e di përgjigjen.

“E keni përgjigjen, edhe Nisma e di përgjigjen. Duhet shumë guxim për t’u përballur me problemet e arsimit në këtë katrahurë politike”, ka thanë Krasniqi.

Dyshimet e Krasniqit ndaj koalicionit që po krijon institucionet nuk janë të reja.

Ai madje nuk kandidoi në zgjedhjet e 11 qershorit, pasi siç u mësua nuk është i kënaqur me zhvillimet në partinë e tij dhe bashkëpunimet me partitë e tjera.