SHPËRNDAJE
Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një intervistë për Telegrafin dhënë gazatarit Muhamet Hajrullahu, ka thënë se Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është duke e zvarrit procesin e thirrjes së mbajtjes së seancës konstituive në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, ai është duke i bërë favor Partisë Demokratike të Kosovës.

“Adresa e vetme që të thërritet mbledhja konstituive është Presidenti i vendit. Ai pa asnjë arsye po e mban të vonuar thirrjen e kësaj seance. Por Presidenti dëshiron t’i bëj asist, PDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai po ashtu tha se nuk e kupton arsyen e vërtet të kësaj vonese nga ana e Presidentit pikërisht në këtë kohë kur Kosova është në një gjendje që nuk duhet të vonohet.

“Me të drejtë Kushtetuta e Republikës së Kosovës i jep të drejtë që mandatin e parë për formimin e Qeverisë ta bëjë koalicioni fitues. Po ashtu është shumë e qartë në Kushtetutë që nëse i pari nuk e arrin formimin e Qeverisë, atëherë e merr përsipër mandatari i dytë”, u shpreh tutje ai.

Abdixhiku gjatë intervistës tha po ashtu se nuk ka arsye për bllokim të formimit të Qeverisë, pasi sipas tij ka interpretime të qarta Kushtetuese.

“Sot gjërat janë të qarta përveç nëse dikush ka interes të shkel Kushtetutën”, ka thënë tutje Lumir Abdixhiku për Telegrafin duke i bërë thirrje Presidentit të vendit që t’i respektoj afatet Kushtetuese.