SHPËRNDAJE

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mund të llogarisin në votat e Partisë Socialdemokrate për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Kështu ka deklaruar kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, i cili thotë se nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë i kanë deponuar më herët se dy partitë tjera opozitare.

Ahmeti në një intervistë për KosovaPress, deklaron se presin që bashkë me LDK-në dhe Vetëvendosjen të flasim për rrëzimin e Qeverisë dhe për formulat qeverisëse pas zgjedhjeve.

“Unë e kam diskutuar me z.Mustafa, i kam thënë që ne jemi të interesuar në bashkëpunim opozitar. Nënshkrimet tona janë deponuar shumë më herët sesa LDK dhe Vetëvendosje, por siç duket tani zgjedhjet në LDK kanë marrë prioritet dhe tek pasi të përfundojnë ato. Ata po thonë vjeshta, vjeshta, presim që të flasim për rrëzimin e Qeverisë dhe për formulat qeverisëse pas zgjedhjeve. Pra, këto dyja janë interes për PSD-në që t’i shtyjmë pikat tona programore socialdemokrate”, potencoi ai.

I pari i Partisë Socialdemokrate thotë se janë të gatshëm si parti që të shkojnë në zgjedhje.

Për më tepër ai thotë se do të vazhdojnë të punojnë edhe muajt në vazhdim që në zgjedhje të dalin sa më mirë.

“Ne nuk duam të jemi të befasuar, kështu që jemi bërë gati dhe vazhdojmë të jemi gati, do t’i fillojmë diskutimet më intensive gjatë këtyre muajve. Si duket edhe të tjerët kanë filluar fushatën, kështu që kur të fillojnë edhe ata të koalicionit të Qeverisë me mbajt tubime me qytetarë, e që nuk i bëjnë zakonisht, atëherë i bije që po i vjen era zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Shpend Ahmeti që është edhe bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedimet me Serbinë, thotë se ky ekip janë duke punuar në vazhdimësi dhe janë të gatshëm kurdo që dialogu vazhdon.

“Ideja ka qenë që ne ta përgatisim platformën, platforma është aprovuar në Kuvend dhe tash nuk ka nevojë që të procedojmë më shumë detaje për tema të tjera, për shkak se nuk duam që t’i japim kohë edhe të tjerëve t’i kenë ato më përpara se t’i dimë cilat janë temat. Pra, ne jemi gati me hulumtime, ne jemi gati me ato se çka duhet bërë, kush do të përfaqësohet në secilin ekip, platformën e kemi bërë gati. Pra, sa i përket neve tash varet nga takimet që organizohen dhe dialogu nëse vazhdon. Në këtë situatë nuk ka kuptim as të vazhdojmë me deklarime, as t’i japim zjarr njërës apo tjetrës palë apo temë, pra vazhdojmë të qëndrojmë racional, të përgatitur dhe me platformën e cila përjashton ndryshimin e kufijve dhe nivelin e drejtë të qeverisjes në Kosovë”, tha ai.

Ai thotë se presin që shumë shpejt të jepet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjin për dialogun dhe të sqarohet gjithçka. /KP/Telegrafi/