SHPËRNDAJE

Aleanca Kosova e Re është e zhgënjyer që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk po i afrojnë qëndrimet, për t`i hapur rrugën një bashkëpunimi të mundshëm për qeverisjen e vendit.

Kështu ka thënë nënkryetari i AKR-së, Fatmir Matoshi, në një intervistë në RTV Dukagjini.

Duke folur për zgjidhjen e bllokadës aktuale politike në vend, Matoshi ka thënë se LDK, partnere koalicioni e AKR-së së Behgjet Pacollit, mund t’i bashkohet koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Ai po ashtu nuk e ka mohuar mundësinë që vetë AKR të bëhet me koalicionin PAN, për të formuar institucionet e vendit.

Matoshi ka thënë se PAN dhe AKR duhet të vazhdojnë bisedimet, në përpjekje për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi.

“Pse të mos diskutojmë me PAN-in?”, është shprehur Matoshi.

“Jemi në një situatë kur vendi është i bllokuar. Përfundimisht duhet t’i jepet një zgjidhje vendit”, ka thënë ai.

Ndryshe, ditë më parë u raportua për një afrim të AKR’së drejt PAN’it. Madje dhe nënkryetari i kësaj partie, Agim Bahtiri, kishte thënë se pas zgjedhjeve lokale ‘të gjithë do shkojnë kah PAN’i’.