SHPËRNDAJE

Tërmeti që tronditi Shqipërinë dhe sidomos dy qytetet kryesore, Durrësin dhe Tiranën, përpos jetëve të humbura, nxorri në pah një cilësi mbarëshqiptare: solidaritetin.

Shqiptarët nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Bosnja dhe nga Kroacia si dhe ata nga diaspora ishin të gatshëm të ndihmonin me gjithçka dhe kjo është një vlerë sipërore për kombin tonë.

Madje jo vetëm shqiptarët, por edhe shumë popuj dhe kombe të tjera iu ndodhën pranë shqiptarëve dhe për këtë të gjithë ne duhet t’iu jemi mirënjohës.

Kujtoj se kur ishte lufta në Kosovë kam ikur e tmerruar familjarisht në Mal të Zi dhe përkundër përkrahjes njerëzorë kemi paguar gjithçka, shtëpinë ku flenim, ushqimin, madje kishim edhe përbuzjen e vendasve. Isha fëmijë atëhere dhe ajo që pashë nuk do më hiqet asnjëherë nga mendja.

Personi që na strehoi ishte edhe e mbuluar, pra një ushtruese muslimane dhe ajo nuk pati kurrfarë ndjenje dhimbsurie për ne që ishim shkatërruar dhe terrorizuar nga lufta. Natyrisht unë e kam falur atë dhe të gjitha ato që janë sjellur në atë mënyrë me shqiptarët e Kosovës që kanë bujtur në shtëpitë e tyre, por asnjëherë nuk është mirë që gjërat të mos thuhen e të fshihen.

Shqiptarët që i kanë dhënë vetes dhe botës Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën dhe shumë personalitete të tjera ndihen të vlerësuar kur gjithë bota perëndimore dhe jo vetëm është pranë tyre në këtë fatkeqësi natyrore.