SHPËRNDAJE

Vendimin për anulimin e projektit për ndërtimin e Universitetit dhe Qendrës Kulturore në Mitrovicën Veriore, e kanë sjellë institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel, dhe ky vendim nuk ka asnjë lidhje me revitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ka deklaruar të enjten shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Bashkimi Evropian, javën e kaluar ka anuluar projektet me vlerë prej 7.8 milionë euro, për shkak se autoritetet komunale të Mitrovicës veriore nuk i kanë larguar objektet e ndërtuara në mënyrë ilegale, në afërsi të hapësirës ku do të duhej të fillonin ndërtimet, gjë që ishte e domosdoshme për qasje në zonat e ndërtimit.

Gjatë një interviste me një grup të gazetarëve, Apostolova, ka thënë se kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, paraprakisht kishte premtuar se do ta zgjidhte këtë çështje, transmeton televizioni publik. Sipas saj, vendimi për anulim të projekteve nuk ka qenë i lehtë dhe ai ka pasuar pas bisedimeve të rënda. Megjithatë, siç ka thënë Apostolova, BE-ja ka procedura të caktuara, për më tepër kur bëhet fjalë për paratë e qytetarëve të Bashkimit Evropian.

“E kuptuam që ekzistojnë probleme të caktuara që ndërlidhen me këto projekte. Për tetë muaj kemi komunikuar me administratën lokale në Mitrovicën Veriore. Kushti i parë për fillimin e projektit është që të krijohet mundësia për qasje në vendin, gjë që është në përgjegjësinë e Komunës që ta zgjidhë. Kryetari i Komunës ka qenë i vetëdijshëm që kjo duhet të mundësohet në muajin prill. Fatkeqësisht, në rrugën dhe në afërsi të hapësirës ekzistojnë objekte jolegale, gjë që është në përgjegjësinë e Komunës që ta zgjidhë këtë”.

“Pastaj, pasoi komunikimi me kryetarin e Komunës dhe kolegët e tij, dhe të gjithë kanë qenë të informuar se çfarë duhet të bëjnë. Fatkeqësisht, asgjë nuk është ndërmarrë. Veprimi ynë i fundit, pas skadimit të afatit, ka qenë që ta sjellim zyrtaren e lartë nga Brukseli që ta vizitojë Mitrovicën e Veriut, e cila ia ka shpjeguar seriozitetin e situatës kryetarit të Komunës. Pas vazhdimit të afatit, përsëri nuk ka ndodhur asgjë. Ne ishim vënë në situatën që nuk kemi mundur asgjë të bëjmë, përveç t’i anulojmë projektet”, ka thënë Apostolova, e cila ka shtuar se vendimin e kanë mbështetur edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, ditë më parë ka thënë se anulimi i projekteve është bërë për shkak se përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar nga Komuna që të mundësohet vazhdimi i revitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, “pa ndonjë garanci për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve”. Rakiq, në prill të këtij viti, ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve për revitalizimin e urës, për shkak të një varg incidentesh, të cilat siç është thënë, e rrezikojnë sigurinë e qytetarëve, shkruan express.

Por, Apostolova, gjithashtu ka thënë se ky vendim nuk ka asnjë ndërlidhje me revitalizimin e urës, ashtu siç ka deklaruar Rakiq.

“Nuk ka asnjë lidhje ndërmjet këtyre dy projekteve me urën. Nuk ka kurrfarë ndikimi politik prapa këtij anulimi”, theksoi Apostolova.