SHPËRNDAJE

Policia në Rusi ka arrestuar një vajzë 17 vjeçe e cila akuzohet se është ideatorja e lojës vdekjeprurëse, ‘Balena e Kaltër’ (Blue Whale).

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se autoritetet ruse kanë arrestuar 17 vjeçen, e cila sipas tyre, është ‘arkitektja dhe ekzekutuesja’ e shantazheve dhe kërcënimeve që përfshihen në këtë lojë, duke bërë që shumë të rinjë anembanë botës të kryejnë vetëvrasje ose të rrezikojnë seriozisht veten.

Sipas autoriteteve ruse, në momentin kur viktimat nuk i bindeshin asaj për të kryer të gjitha shkallët e lojës vdekjeprurëse, ajo kërcënonte se do të vriste anëtarët e afërt të familjeve të viktimave, duke i detyruar ata që të luajnë deri në fund ‘Balenën e Kaltër’, gjë që i çonte në vetëvrasje.

Në banesën e saj janë gjetur disa vizatime dhe shkrime që lidhen me vetëvrasje

Edhe një djalë 21 vjeç ishte arrestuar kohë më parë pranë Moskës. Ai gjithashtu akuzohet se bënte pjesë në grupin që shpiku dhe shpërndau këtë lojë.

21 vjeçari, pjesëtar i grupit që shpiku lojën e rrezikshme

“Ajo u jepte detyra të ndryshme pjesëtarëve të grupit dhe shpesh i kërcënonte edhe ata se do t’i vriste nëse nuk i bindeshin”, ka thënë kolonelja Irina Volk nga Ministria e Brendshme e Rusisë.

Disa nga gjërat e konfiskuara nga Policia

Loja vdekjeprurëse ‘Balena e Kaltër’ përfshin 50 faza që duhet të kryhen njëra pas tjetrës.

Gjatë këtyre fazave, pjesëmarrësve u kërkohet ta lëndojnë veten dhe në fund atyre u kërkohet të bëjnë vetëvrasje.

Kjo lojë ishte shfaqur edhe në Kosovë. Policia e Kosovës kishte paralajmëruar për rrezikun që vjen nga kjo lojë duke udhëzuarprindërit që të kenë kujdes me qasjen që u jepet fëmijëve në internet.

Madje, edhe në Kosovë dhe në Shqipëri ishin identifikuar disa raste të fëmijëve që kishin rënë pre e kësaj loje të rrezikshme.