SHPËRNDAJE
Në vitin 2015, Hungaria kishte ndërtuar një barrierë në kufirin e saj me Serbinë dhe Kroacinë për të parandaluar valën e madhe të refugjatëve sirianë.

Kufirit hungarez nga Serbia ia kishin mësyrë edhe kosovarë të shumtë më 2014, kur ndodhi eksodi më i madh që nga pas lufta, me mbi 100 mijë qytetarë të larguar nga vendi, që destinacion kryesor kishin Gjermaninë.

Gardhi me gjemba teli përgjatë kufirit hungarez ishte ndërtuar nga autoritetet pas vërejtjeve të shumta nga Bashkimi Evropian për hyrjen në mënyrë të paligjshme të emigrantëve. Pas përfundimit të kësaj barriere, raportohet se është zvogëluar dukshëm numri i hyrjeve ilegale në këtë shtet.

Ndërsa tani falë këtyre barrierave, emigrantë të shumtë e kanë pothuajse të pamundur hyrjen ilegale.

 

Ka dy ditë që u raportua se numër i madh i të rinjve sërish po ikin nga Kosova, ngjashëm si më 2014.

Por, kosovarët duhet ta kenë të qartë se barrierat e ndërtuara gjatë 2015’tës ua pamundësojnë hyrjen në Hungari, si më 2014 kur këto barriera nuk kishin ekzistuar fare. Tanimë, po flasim për një situatë tjetër.

Kufiri mes Hungarisë dhe Serbisë

Kufiri mes këtyre dy shteteve është 175 kilometra i gjatë. Në qershor të vitit 2015, Qeveria hungareze miratoi ndërtimin e kësaj barriere katër metra të lartë, për të penguar hyrjen e paligjshme të emigrantëve të shumtë.

U shpenzuan 30 miliardë dollarë për ndërtimin e barrierës e cila ishte nga teli me gjemba. Në kuadër të këtij investimi ishte paraparë edhe ndërtimi i dy kampeve për strehimin e azilkërkuesve. Por, emigrantët refuzonin të regjistroheshin si refugjatë në Hungari, meqë destinacion kryesor kishin Gjermaninë dhe vendet e tjera më të zhvilluara.

 

Gjatë vitit të kaluar raportohej për gjendjen e rëndë të emigrantëve në Serbi, të cilët kishin mbetur të bllokuar, për shkak të pamundësisë që të kalonin në Hungari.

Ndërsa, Qeveria hungareze kërkoi që Bashkimi Evropian të rimbursojë gjysmën e kostove të kësaj barriere kufitare, që arrinte shumën e 400 milionë eurove.

Përfshirë edhe kufirin me vendet tjera përveç Serbisë, kufiri hungarez arrin gjatësinë e 523 kilometrave. Një pengesë e tillë pamundëson kalimin në mënyrë ilegale./Periskopi