SHPËRNDAJE

Tiranë, 28 korrik – Autostrada Tiranë-Elbasan pritet të përfundojë brenda vitit 2017. Inxhinieri i projektit të autostradës Tiranë-Elbasan, Elton Kallabaku, në një prononcim për ATSH-në bëri të ditur se punimet për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan pritet të mbyllen në fund të muajit dhjetor të këtij viti.

Bëhet fjalë për segmentin e parë të autostradës Tiranë–Elbasan, qe fillon nga rrethrrotullimi i TEG Tiranë – hyrje e Tunelit të Krrabës, pasi punimet në dy segmentet e tjera, Tuneli i Krrabës dhe dalje e Tunelit – Elbasan kanë përfunduar.

Punimet për ndërtimin e kësaj autostrade nisën në vitin 2011 për ndërtimin e tunelit, ndërsa punimet për segmentin Nr 1 dhe segmentin Nr 3 kanë filluar në vitin 2012 dhe parashikohej të mbylleshin brenda një periudhe 18-mujore. Por, gjatë ndërtimit të segmentit Nr 1 kanë ndodhur disa rrëshqitje të konsiderueshme në disa zona, të cilat kanë ndikuar për përfundimin e projektit brenda afatit të parashikuar.

Për të financuar koston shtesë të dalë mbi projektin fillestar për shkak të rrëshqitjeve qeveria u detyrua të marrë një kredie tjetër prej 35 milionë e 174 mijë dollarësh nga Banka Islamike e Zhvillimit.

Sipas relacionit shoqërues të marrëveshjes, bashkë me kredinë e re kostoja totale e projektit për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan (tre segmentet) me gjatësi 27 kilometra shkon në 335.2 milionë dollarë amerikane, ose 35.1 milionë dollarë më shumë nga sa ishte parashikuar në projektin fillestar.

Gjatësia totale e rrugës është 27 km, gjerësia është 28 m, me dy karexhata të pavarura me nga dy korsi lëvizje (me gjerësi 3 .75m) dhe me nga një korsi emergjence (me gjerësi 3.00 m ) secila.

Pjesë e kësaj rruge është dhe tuneli i Krrabës, i cili përbëhet nga dy tuba (me dy korsi lëvizje secili). Tubi i majtë (drejtimi Elbasan-Tiranë) ka një gjatësi prej rreth 2.32 km dhe tubi i djathtë (drejtimi Tiranë-­ Elbasan) ka një gjatësi prej rreth 2.58 km.

Rruga është e ndarë në tre segmente: segmenti 1 Tiranë – hyrje e Tunelit të Krrabës, segmenti 2 Tuneli i Krrabës, segmenti 3 dalje e Tunelit – Elbasan. Ndërtimi i kësaj rruge financohet nga Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Abu Dhabi dhe OFID (OPEC) dhe qeveria shqiptare.

Punimet për ndërtimin e Tunelit të Krrabës kanë nisur në muajin prill 2011 dhe kanë përfunduar plotësisht në muajin mars 2013. Tuneli është i hapur për trafikun dhe menaxhimi tij po kryhet nga Qendra e Operimit e ngritur pranë këtij tuneli.