SHPËRNDAJE

Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, me deklarata publike, po e ftojnë LDK-në, e cila udhëhiqet nga Isa Mustafa, që të takohen e të diskutojnë rreth koalicionit paszgjedhor për formimin e Qeverisë. Dje ish kryetari LVV-së, Albin Kurti, e sot kryetari i kësaj lëvizje, Visar Ymeri, i kanë bërë ftesa partisë së Isa Mustafës për t’u takuar.

Madje sipas liderit të LVV-së nuk ka çka të pritet deri në certifikimin e rezultateve për t’u takuar për të biseduar opsionet e çuarjes së PDK-së në opozitë.

Por zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës pyetur rreth kësaj çështjeje thonë se fillimisht po i presin rezultatet e certifikimit nga ana e KQZ-së dhe pastaj do t’i diskutojnë edhe ftesat e LVV’së për koalicion.

Kontaktuar nga Gazeta Express, ministrja në largim në MTI, dhe zyrtarja e LDK-së, Hymete Bajrami ka deklaruar se kryesia e partisë që ajo i takon është duke i pritur rezultatet e certifikimit dhe pastaj do të shqyrtohen ofertat rreth koalicioneve.

“…është kryesia, anëtarët e ngushtë të kryesisë të cilët po merren me këtë dhe pas certifikimit të rezultateve shohim”, ka thënë Bajrami.

Megjithatë Bajrami nuk e ndryshon qëndrimin e saj të mëhershëm se LDK nuk duhet të hyjë në koalicion me PAN. Thotë se LDK ka oferta për hyrje në koalicion

“Mendimi im personal është që absolutisht jo koalicion me PAN’in, jo koalicion me asnjë individ ku gjendet PDK për shkak se ne deri më tani kemi qenë në ato formula, për të tjerat besoj që janë organet drejtuese të partisë. Normalisht që LDK tash ka oferta prej të gjithëve sepse asnjëra parti, asnjëri koalicion nuk e ka fituar shumicën absolute në mënyrë që t’i themelojnë institucionet. Ne prej datës 11 qershor vetëm se e kemi pritë, por nuk është që po ngarendim për me hy në qeverisje”, ka thënë ajo.

Tutje zyrtarja e LDK’së është shprehur se partia që ajo i takon tashmë është duke punuar për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen në vend më 22 tetor.

“…më shumë po përgatitemi për zgjedhjet lokale”.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, më 11 qershor, kanë garuar 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare, me mbi 900 kandidatë për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.