SHPËRNDAJE

Ismajl Mjekiqi nga fshati Shipitullë i Obiliqit thotë se dy muaj më parë për pak i kishte shpëtuar fëmija nga rënia e një pjese të tavanit nga dridhjet e shumta që sipas tij, janë bërë për shkak të punimeve të ekskavatorëve të KEK-ut.

Ai thotë të mos jetë hera e parë që po i ndodh një problem i tillë, por deri më tani, përkundër takimeve me drejtues të KEK-ut për të gjetur një marrëveshje, nuk është arritur asnjë përparim, raporton KTV.

Ismajli iu bashkua të hënën protestës së banorëve të fshatit Shipitullë, të cilët iu afruan vendit ku aktualisht ekskavatorët e KEK-ut po heqin djerrinën me qëllim të pengimit të punimeve, pasi sipas tyre, ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.

Mirëpo, meqenëse ekskavatorët nuk ishin duke punuar, banorët vendosën që me pankartat e tyre të realizojnë protestën duke kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.

Protestuesit kanë kërkuar nga KEK-u që t’i marrë parasysh kërkesat e tyre, e që në listë primar është punësimi i një familjari të secilës familje.

Ndërkaq një banor tjetër u ankua për mos-shpronësimin e të gjithë shtëpive të fshatit, por vetëm të një pjese, duke ia bërë të vështirë jetesën pjesës së mbetur të fshatit.

Banorët gjithashtu nuk janë pajtuar me këtë njoftim të dërguar nga KEK-u pak ditë më parë rreth procesit të zhvendosjes.

Nga ana tjetër, KEK-u ka paralajmëruar të gjitha institucionet që nëse nuk ndërmarrin masa të shpejta për zhvendosjen e banorëve të Shipitullës, do të detyrohet të ndërpresë prodhimin e energjisë këto ditë, për shkak të mungesës së thëngjillit.

KEK-u ka njoftuar se edhe pas fillimit të punës në hapje të mihjes në drejtim të fshatit Shipitullë, kjo do të rezultonte me ndërprerje të tërësishme të prodhimit të energjisë për një periudhë mbi gjashtë muaj.

Përpos këtij problemi, ndërmarrja përballet edhe më një numër të madh të ndërtimeve pa leje, që janë bërë në pjesët e parapara ku do të shtrihet mihja e re dhe që ka dëmtuar banorët rezidentë duke iu ulur çmimi i shpronësimit.