SHPËRNDAJE

Fituesi i zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një deklaratë ditën e sotme, ku falenderoi të gjithë anëtarët e PD që e votuan atë, ndërsa tha se është më i vendosur se kurrë më parë për ta forcuar Partinë Demokratike.

“Pjesëmarrja ishte masive. Dua të falenderoj Selamin që i vlerësoi demokratët duke shkuar para tyre me një projekt dhe i bëri thirrje për të marrë pjesë në proces. Jam mirënjohës për demokratët për besimin që më dhanë. Do të punoj çdo çast duke i kthyer borxhin. Vota juaj është një borxh i madh për mua. PD është një parti e madhe, një parti perëndimore, europiane. Ne humbën zgjedhjet, por jo vlerat dinjitetin, krenarinë, shpirtin tonë kombëtare”, tha Basha.

Kreu i PD u shpreh se Partia Demokratike duhet të shohë përpara tashmë dhe të fitojë besimin e shqiptarëve.

“Me vendosmëri do të fitojmë besimin e shqiptarëve.  Misioni ynë është misionin kombëtarë. PD është forca që do ta çojë vendin përpara. Ne duhet të shohim përpara, duke u përmirësuar”, u shpreh Lulzim Basha, transmeton TCH.

Ai theksoi që pas zgjedhjeve të ditës së djeshme, PD do të jetë më demokratike. “PD do të jetë më demokratike, duke i dhënë pushtet anëtarëve të saj. Vendimmarrja do të jetë në duart tuaja, ju do të vendosni siç bëtë dje se kush do të jenë përfaqësuesit tuaj”, tha Basha.

Kreu i PD në fund të fjalës së tij tha se dera nuk është e mbyllur për asnjë në PD. “Akti i djeshëm nuk është aspak derë e mbyllur, të gjithë janë të mirëpritur. Vota dhe bashkimi i djeshëm është edhe një detyrë dhe një kontratë e re jo vetëm për demokratët, por edhe për vendin”, tha Basha.