SHPËRNDAJE

Mediumi amerikan Buzzfeed ia ka kushtuar një tekst këngëve dhe karrierës së këngëtares shqiptare, Dua Lipa, duke u bërë thirrje amerikanëve që ta dëgjojnë më shumë e t’i japin shans yllit të muzikës, transmeton Gazeta Metro.

Buzzfeed shkruan se Dua Lipa gjatë karrierës së saj ka nxjerrë në treg shumë këngë që konsiderohen hite të jashtëzakonshme, si ‘Be The One’ e ‘Blow Your Mind’. Megjithatë, sipas tyre, amerikanët nuk kanë ditur të çmojnë talentin e yllit 22 vjeç, siç ka ndodhur në Britaninë e Madhe.

“Kur ‘Be The One’ e Dua Lipës kishte dështuar në Amerikë, nuk thamë asgjë pasi e dimë që amerikanët janë të prirur të mos i çmojnë gjërat e reja që dalin në treg”, shkruan faqja amerikane.

Sipas tyre, është koha që amerikanët ‘të zgjohen nga gjumi’ e të hyjnë në botën artistike të talentit të Dua Lipës, dhe këtë mund ta bëjnë përmes këngës së saj të re, ‘New Rules’, të cilën Buzzfeed e konsideron si ‘kënga e verës’, pasi që edhe renditet në pozitën e parë si kënga më e dëgjuar në Britani. Por, kjo nuk ndodh në Amerikë, pasi atje, kjo këngë e Lipës renditet vetëm e 81-ta.