SHPËRNDAJE

Më 14 shtator 2016, në Bruksel është arritur marrëveshja rreth përdorimit të tabelave Kosovë-Serbi.

Marrëveshja parashihte vendosjen e parimit të reciprocitetit në tabelat e automjeteve në mes të dyja shteteve, që do të thotë se çfarë vlen për tabelat e njërit shtetet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër.

Kjo më pas u shpjegua shkurt e shqip, automjetet që do të kalonin nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas, detyrohen që me letërngjitës të mbulojnë simbolet e shtetit, shkruan lajmi.net.

“Heqja e tabelave prova fillon me 15 nëntor të këtij viti. Që nga 15 nëntori qytetarët tanë nuk do të ballafaqohen me tabela prova, por do të fillojë reciprociteti me letra ngjitëse për të dyja palët, për të dy shtete”, kështu ishte deklaruar ministrja për dialog Edita Tahiri, menjëherë pas marrëveshjes së arritur me Serbinë, por nuk doli të jetë ashtu.

Lajmi.net ka kontaktuar me ministren Edita Tahiri, e cila ka thënë, se afati i realizimit të marrëveshjes është shtyrë për shkak të vonesave nga pala kosovare.

“Afati i paraparë për shtator 2016, nuk është realizuar për shkak te vonesave nga pala e jonë. Pastaj ka pasur zgjedhje në dyja shtetet. Duhet të caktohet afat i ri për nisjen e zbatimit të marrëveshjes, dhe kjo do të ndodh pas rifillimit të takimeve në Bruksel, praktikisht pas formimit të qeverisë së re në Kosovë”, ka thënë ministrja.