SHPËRNDAJE

Pas debatit të ashpër në seancën e Këshillit të Sigurimit ndërmjet ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitakut dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, fjalën sërish e ka marrë zv/kryeministri serb.

Ai edhe një herë ka folur për kinse debimin serbëve nga Kosova.

Ai i ka përmendur disa shifra që dikur serbët jetonin në qytetet e Kosovës, duke i krahasuar me numrin e tanishëm që ata jetojnë.

Megjithatë, përgjigjja e ambasadores sonë në SHBA ka qenë e menjëhershme dhe me argumente, transmeton lajmi.net.

Ajo i ka paraqitur shifrat e serbëve që kanë votuar në zgjedhjet e 11 qershorit, duke thënë se ky numër tejkalon 100 mijë serbë.

Çitaku i ka paraqitur të gjitha shifrat me radhë për secilën komunë ku jetojnë serbët, duke i hedhur poshtë me argumente pretendimet e Daçiqit.

“Jemi shumë krenarë që në politikën tonë kemi njerëz që kanë luftuar kundër Millosheviqit dhe Sheshelit, të cilët ishin kriminelët më të këqij në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Jemi krenarë për historinë e liderëve tanë. Ky nuk është vendi për të diskutuar se kush ka qenë i pari në Ballkan dhe kush ka ardhur në Ballkan, dhe se për gjëra të tilla historianët mund të pajtohen ose jo”, është shprehur Çitaku.

Ajo ia ka bërë me dije shefit të diplomacisë serbe se Kosova para shpalljes së pavarësinë, ka pasur popullatën e vet dhe kufijtë e përcaktuar, dhe se nuk ka pasur lëvizje secesioniste, por shpallja e pavarësisë së Kosovës është një zgjidhje konsensuale pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Çitaku ka thënë se ka pasur një propozim nga ish-presidenti Martti Ahtisaari për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ligjshmëria e së cilës është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, gjë e cila është bërë me vetë kërkesën e Serbisë.