SHPËRNDAJE

Deputetja Marigona Geci ka insituar të flasë për vrasjet në Kosovë në seancën e Kuvendit të Kosovës. Ajo sot tha se vetëm në Kosovë vrasësi dhe viktima mund të jenë heronj njëkohësisht. Geci tha se i ka pritur ofendimet ndaj saj, ndërsa e përmendi edhe familjen Jashari.

“Ju po e shani familjen Jashari që nuk po mendon njëjtë si ju, po e shani djalin e Hamëz Jasharit, e nuk po e shani e Gani Gecit. Vetëm në këtë vend, urdhërdhënësi i vrasjeve është hero dhe viktima është hero. Vetëm në këtë vend hero është Shaban Polluzha dhe vrasësi i tij, Fadil Hoxha. Vetëm në këtë vend është hero Haki Imeri dhe urdhërdhënësi për vrasjen e tij. Urdhërdhënësit dhe viktimat janë heronj”, tha Geci. “Prandaj, unë nuk ia vlen me u marrë me juve. Çoni prej varri ata të cilët u vranë që ne të mos merremi me ata që na vranë”, tha ajo.

Gecit i replikoi deputeti i PDK-së, Fadil Nura, i cili i quajti shpifje dhe trillime pretendimet e deputetes së LDK-së.

“Ka ardhë dita që t’i demaskojmë shpifjet dhe trillimet me fakte dhe me fuqinë e së vërtetës, ashtu siç e kemi demasku kolegun tuaj bashkëpartiak i cili sot sorollatet në vendet e dyta dhe të treta. E di besoj për kë e kam fjalën”, tha Nura. /