SHPËRNDAJE

Kanë mbetur më pak se një për qind të votave të pa numëruara që të rrumbullakohet procesi dhe rezultati përfundimtar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 11 qershor.

Megjithatë, shpallja e rezultatit, pritet të marrë edhe tri javë kohë, për shkak të procedurave të ankimimit.

Në bazë të rezultatit preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 34 për qind të votave, pasuar Lëvizja Vetëvendosje me 27 për qind, kurse në vendin e tretë është koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave.

Nga komunitetet pakicë, Lista Serbe ka fituar mbi 5 për qind të votave.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha për Radion Evropa e Lirë se përveç votave me kusht dhe votave të diasporës, numërimi i votave tjera ka përfunduar.

Ajo ka shtuar se rezultatet përfundimtare të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve do të bëhen të ditura pas procesit të shqyrtimit dhe verifikimit të materialit zgjedhor dhe numërimit të votave me kusht.

“Sa i përket rezultateve përfundimtare ato do t’i kemi pasi të bëhet auditimi i të gjitha kutive, mospërputhjeve eventuale, ankesave të cilat mund t’i kemi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), si dhe pasi të numërohen votat më kusht dhe votat nga diaspora. Vetëm atëherë do t’i kemi rezultatet përfundimtare. Do të thotë deri në tri javë”, ka thënë Daka.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 800 mijë banorë, nga të cilët rreth 700 mijë është numri i fletëvotimeve të vlefshme.

Kurse, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 52 mijë është numri i fletëvotimeve të pavlefshme. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se ky trend po përsëritet në të gjitha zgjedhjet e parakohshme.

“Afatet e shkurta ndikojnë edhe në informimin publik, sidomos votuesit e rinj nuk dinë të votojnë. Ka ndoshta edhe arsye të tjera, edhe pse ne në fakt nuk e dimë saktësisht pse fletëvotimet janë të pavlefshme”.

“Mundet të ketë edhe arsye tjera, ka edhe njerëz që janë të pakënaqur me gjithë situatën politike dhe thjeshtë e shprehin pakënaqësinë e tyre duke prishur fletëvotimin. Pra, ka lloj- lloj arsyesh. Por, ne vetëm pasi të bëjmë një analizë të përgjithshme të tyre, do të dimë se cilat janë arsyet kryesore“, ka thënë Daka.

Zgjedhjet e 11 qershorit, në përgjithësi janë vlerësuar të suksesshme, përjashtuar disa vërejtje që janë dhënë në lidhje me listën e pa përditësuar të votuesve dhe disa parregullsive, por të cilat sipas vëzhguesve, nuk kanë ndikuar në proces.

Këto zgjedhje, pritet të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, nga i cili më pas do të formohet edhe Qeveria e ardhshme e Kosovës. /REL/