SHPËRNDAJE

Ambasadorët e Kuintit janë takuar me Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për të shprehur angazhimin tyre të vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore në 14 Shkurt, dhe për të ndarë planet e të monitorimit të zgjedhjeve, ka bërë të ditur ambasada amerikane përmes një komunikate për media.

Ata kanë theksuar se edhe pse pandemia ka krijuar sfida shtesë, ne kemi besim në aftësinë e KQZ-së për të mbikëqyrur zgjedhjet.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës të zbatojnë rekomandimet e bëra në raportin e Misionit Zgjedhor të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 6 tetorit 2019”, thuhet në njoftim.

Ambasadorët e Kuintit kanë theksuar se KQZ-ja duhet të sigurojë që procesi zgjedhor të jetë transparent dhe i lirë nga ndërhyrjet politike.

“Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale inflamatore dhe spekulative”, thuhet tutje në komunikatën e ambasadës amerikane.

“Ne inkurajojmë të gjitha partitë dhe kandidatët që të angazhohen në një konkurs të ndershëm në të gjithë Kosovën, ndërsa respektojnë masat e COVID-19, gjatë gjithë fushatës. Ndërsa peshojnë zgjedhjet e tyre, populli i Kosovës meriton të dëgjojë propozime të hollësishme të politikave nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati të informuar”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e përbashkët të shteteve të Kuntit.

Ata kanë vënë në dukje se për të siguruar një zgjedhje të suksesshme, i takon gjithashtu popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat COVID-19.

“Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë për përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, prosperuese, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën”, mbyllet komunikata e Kuintit