SHPËRNDAJE

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, sot është deklaruar rreth situatës aktuale politike në vend dhe për raportet e Kosovës me Amerikën.

Kryetari i AAK-së, njëherësh kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj edhe një herë kërkoi që mos të luhet me ndryshim të kufijve, pasi kjo sipas tij, është shumë e rrezikshme, teksa tha se në Kosovë nuk mund të funksionojë një shtet brenda shtetit, duke aluduar në themelimin e asociacionit të komunave serbe.

Haradinaj ka kritikuar edhe ata që kanë negociuar deri më tani me Serbinë, duke thënë se ata kanë qenë në gjendje të japin tokë të Kosovës.

Duke folur për dorëheqjen e tij, Haradinaj tha se ai akt e ka ngritur Kosovën në një shkallë me lartë.

Ai gjithashtu ka folur për raportet e tij me ndërkombëtarët, duke thënë se edhe pse është raportuar për raportet e këqija, ai herën tjetër që do të shkojë në SHBA, do të sjellë njohjen.

“Kanë me ju thanë që tash Ramushi nuk i ka puntë mirë me të huajt edhe po ju tregoj saktë e shkurt. Qysh ju thoshin nuk i japin vizë, por u bë një herë me shku e erdha me Ushtri. Kur të shkojë herën tjetër vi me njohjen se s’po më bjen me shku se një nga një shumë punë, e po më duhet me i kry do punë të mëdhaja se Ushtria është themel i njohjes, por kur të shkoj herën tjetër vi me njohje. Deri sa të bëhet për njohje, rrimë kështu nga pak si gjysmë të hidhëruar, por kur vjen vakti me shku vi me njohje dhe ju siguroj për këtë”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj edhe një herë theksoi qëndrimin e tij në lidhje me dialogun me Serbinë.

Sipas tij, në këtë dialog nuk duhet të flitet për tërësinë territoriale dhe se kjo duhet t’i bëhet e qartë një herë e mirë Serbisë.

“Nëse duhet të flasim pak për tërësinë territoriale, për kuifjtë, për të drejtën tonë si vend. Nëse ne nuk e deklarojmë nuk e sqarojmë se për çfarë formule jemi, por vetëm themi se po duam dialog, atëherë ne ua lëmë që të dyshojnë ose ata mud të besojnë për çdo opsion. Mund të kujtojnë se ne jemi edhe për të dhënë një pjesë të veriut. E tash Trepça me ligj është e Kosovës, statusi është i Kosovës, e ka bërë Qeveria, Parlamenti. Nëse aktivizohet dhe besomni se nuk po ju rrej, 500 milionë e ka fitimin jo qarkullimin. 500 milionë të hyra për vit, çfarë kontributi për një buxhet të këtij vendi. Nëse ne nuk e sqarojmë mirë që kurrqysh mos me i prek kufijtë e kësaj Kosove kaq të vogël, na dhimbset që Presheva e Toplica nuk janë brenda, por nëse nuk e sqarojmë, ne jemi duke ia dhënë dikujt këtë burim jete për 2 milionë që janë këtu. Jemi duke e humbur burimin kryesor të jetës sonë”, u shpreh ndër të tjerash Haradinaj.

Ai po ashtu ka thënë se në Kosovë nuk mund të funksionojë një shtet brenda shtetit.

“Nëse ne nuk e sqarojmë shumë mirë që Kosova 2 milionë është multietnike, por tash në këtë Kosovë kaq të vogël nuk i zë dy shtete, një Kosovë brenda Kosovës, një Dodik Republikë, një Rusi e vogël. Në Kosovë nuk mundet me funksionu kjo. Dhe ne duhet ta sqarojmë këtë pastër dhe të mos lëmë asnjë dilemë për këtë”, theksoi Haradinaj.

Këto komente Haradinaj i bëri gjatë ditës sotme në Gjilan, me rastin e aderimit të rreth 244 të rinjve në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).