SHPËRNDAJE

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) është në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme që të vazhdojë me procesin e certifikimit të votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit.

Valdete Daka, kryetare e KZQ-së, ka thënë se posa të jepet vendimi i Supremes dhe të merret konfirmimi që nuk ka më ankesa, atëherë do të kryhet certifikimi. E krejt kjo pritet të bëhet brenda kësaj jave.

“Nëse s`ka ndonjë ndryshim me ato vendime ne i certifikojmë, si dhe në momentin që marrim konfirmimin që nuk ka më ankesa nuk kemi më asgjë dhe përfundon certifikimi. Ne jemi vetëm duke i pritur procedurat. Po brenda kësaj jave pritet të ndodhë”, ka deklaruar ajo.

Sipas Dakës, janë 6 ankesa në Supreme për të cilat gjykata ka afat 72 orë që t’i shqyrtojë dhe të dalë me vendim.

Ajo ka thënë se është në dorën e Supremes se kur del vendimi, e pastaj KQZ do e kryejë punën e vet.
“Janë 6 ankesa në Gjykatën Supreme, pa e vendos ata ne nuk mundemi me bë asgjë. I kanë 72 orë, tash varet nga ta se a i kryejnë sot apo brenda afatit 72 orësh. Ata nuk mund të vonohen meqë janë Gjykatë Supreme, veçse a e vendosin sot apo deri në fund të afatit, është në dispozicion të tyre”, është shprehur ajo.
Ndryshe, afati që kandidatët për deputetë apo vetë subjektet politike t’i dorëzojnë në Supreme ankesat e tyre, ka qenë dje deri në orën 14:00.