SHPËRNDAJE

Për gati dy vjet në Kuvend, nuk është realizuar pothuasje asnjë punë si duhet.

Kuvendi nuk ka arritur të përmbushë as 20 për qind të planit për këtë vit.

Legjislatura aktuale po vlerësohet si më e dobëta që ka pasur Kosova deri më tani.

Ajo është ballafaquar vazhdimisht me mungesë kuorumi dhe si rezultat i saj pak ligje arritën të miratohen.

Legjislatura e gjashtë po vlerësohet ndër më të dobëtat që ka pasur Kosova deri më tani. Për gati dy vjet prejse ka nisur punën ajo është ballafaquar vazhdimisht me mungesë kuorumi, me ç’rast ka dështuar ta përmbushë agjendën legjislative.

Monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se ky nuk ka arritur të përmbushë as 20 për qind të planit për këtë vit.

Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se nga 144 projektligje sa ishin në agjendë për vitin 2019, vetëm 28 prej tyre kanë arritur të miratohen.

“Duke u bazuar në programin legjislativ të Qeverisë për Kuvendin, projektligjeve të bartura nga viti paraprak dhe nga nismat ligjore që i ka ndërmarrë Kuvendi për këtë vit janë paraparë për shqyrtim 144 projektligje. Për këtë sesion Kuvendi ka arritur t’i miratojë 28 ligje ose rreth 19% të planifikimit. Ndërkohë në komisionet parlamentare në procedurë për shqyrtim kanë mbetur edhe 45 projektligje (31%), ndërsa 71 projektligje (50%) nuk janë përgatitur ende”, ka thënë ajo.