SHPËRNDAJE

Në mungesë të kuorumit ka dështuar sot të mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku në rendë dite ishte shqyrtimi i raportit të Auditimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, ka thënë se në mungesë të kuorumit nuk mund të mbahet mbledhja.

Sipas tij, vetëm anëtari Avdullah Hoti ka dhënë një informatë zyrtare për mungesën e tij, ndërkaq të tjerët nuk kanë dhënë asnjë arsyetim.

“Unë kam pasur vetëm një informatë zyrtare prej Avdullah Hotit që nuk do të jetë prezentë, ndërkaq për të tjerët nuk kam asnjë informatë. Kjo tregon se shumë çështje të rëndësishme siç është Posta, Telekomi dhe Ujësjellësi Prishtina, për të cilat kemi çfarë të diskutojmë mjaft, ku raporti i Zyrës së Auditorit është negativ për të gjithë këto institucione. Në mungesë të deputetëve ne jemi të detyruar ta mbyllim këtë mbledhje. Pra, këtë mbledhje po e shtyjmë për të premten në orën 10:00”, ka thënë Selmanaj.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha, i cili ka kërkuar që mos të paragjykohen çështjet para se dalin në diskutim.

“Për hir të korrektësisë të kryetarit, meqenëse nuk e diskutuam raportin e auditimit nuk është mirë të japim paragjykime para se të diskutohen këto çështje në Komision”, ka thënë Hoxha.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Driton Selmanaj, duke i thënë se mund të flas vetëm kur t’ia jap ai fjalën, sepse siç ka thënë Selmanaj nuk është në objekt të Postës por në objektin e Kuvendit.

Ndërkaq, kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha, i tha Selmanajt se as ai nuk është në gjykatë këtu.