SHPËRNDAJE

Prej datës 30 gusht deri në mesditën e 8 shtatorit (e diel) KQZ-ja ka pranuar 13 mijë aplikacione nga diaspora për t’u regjistruar si votues për zgjedhjet e 6 tetorit.

Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e diasporës mbeten të zhgënjyer me trajtimin që po u bëhet nga klasa politika kosovare.

Ndonëse qindra-mija qytetarë të Kosovës jetojnë në diasporë, të drejtën për të votuar në zgjedhjet, që do të mbahen në Kosovë, zakonisht e shfrytëzon një numër jo i kënaqshëm i tyre.

Në kuadër të kësaj përfaqësuesit e diasporës vazhdojnë të mbeten të pakënaqur me trajtimin që po u bëhet nga ana e institucioneve.

Procesi i votimit, siç shprehen ata, do të duhej të bëhej më i lehtë për diasporën, rrjedhimisht qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës t’u mundësohet të votojnë nëpër ambasadat e Kosovës që gjenden në vendet përkatëse.

Në këtë mënyrë, sipas tyre, do të shmangeshin procedurat e stërzgjatura që ekzistojnë aktualisht dhe do të rritej numri i votuesve jashtë Kosovës, shkruan Zëri.

Megjithëkëtë, deri dje në mesditë nga diaspora kanë aplikuar 13 mijë qytetarë për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, që pritet të mbahen më 6 tetor të këtij viti.