SHPËRNDAJE

Zënkat dhe mosmarrëveshjet diplomatike dhe ndërshtetërore përbrenda kampit socialist, të Lindjes, ishin paraqitur menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe veçmas pas përcaktimit definitiv të sferave të ndikimit të bllokun të Perëndimit dhe të Lindjes. Bashkimi Sovjetik, i dalë nga Lufta e Dytë Botërore si fuqia e tretë botërore fituese, i kishte intensifikuar pretendimet e saj që të imponojë modelin e saj socialit në tërë kampin e Lindjes. Në këtë aspekt, pra të pretendimeve hegjemoniste sovjetike, duhet parë edhe pozicionimet e para diplomatike të BRSS-së dhe të Jugosllavisë karshi çështjes së ndikimit të tyre në Shqipërinë e pasluftës. Studiuesit modernë të atyre zhvillimeve, jashtëzakonisht dramatike për shtetin shqiptar dhe në përgjithësi për kombin tonë të ndarë, me të drejtë do të konstatojnë se Shqipëria si zonë interesi dhe ndikimi për sovjetikët dhe jugosllavët ishte, në kuptimin e plotë, një mollë sherri, sepse shtizat e mosmarrëveshjeve Stalin-Tito u thyen pikërisht në çështjen shqiptare e jo në çështjet ideologjike siç është menduar dhe shkruar deri më sot. Në vazhdim Telegrafi ju sjell pjesë nga dokumentet arkivore nga takimet e 27-28 majit të vitit 1946, të udhëheqësve jugosllavë dhe bullgarë me Stalinin, ku temë bosht ishte edhe çështja shqiptare, përkatësisht plani për konfederatën Jugosllavi-Shqipëri-Bullgari. Përgatitja është bërë nga historiani Agim Zogaj.