SHPËRNDAJE

Gjatë një tubimi politik në Qendrën e Konferencave në Finiks të Arizonës, presidenti Trump vijoi sulmet ndaj mediave dhe gazetareve, duke duke i quajtur ata “njerëz të këqij që nuk e pëlqejnë vendin tonë”.

Ai lexoi deklaratat e mëparshme në të cilat ai kritikonte neo-nazistët dhe Ku Klux Klanin pas përplasjes fatale të 12 gushtit në Sharlotsvill të Virxhinias. Por Presidenti la pa përmendur fjalët që ngjallën më shumë debate javën e kaluar, me të cilat ai fajësonte për dhunën “të dyja palët”. Trump akuzoi gjithashtu mediat se nuk i raportonin komentet e tij.
Trump pyeti nese i përmendi apo jo media fjalët e tij se racizmi është i keq?” “Unë jam njeri që dëshiron të tregojë të vërtetën, Jam njeri i ndershëm” tha Trump.
Gjate ketij fjalimi presidenti Donald Trump kritikoi si senatorin John McCain ashtu edhe senatorin Jeff Flake, por pa përmendur emrat e tyre. Dy senatorët republikanë të Arizonës, të cilët që të dy janë përplasur me presidentin, nuk morën pjesë në tubimin me përkrahësit e Presidentit.
Prania e Donald Trump në shtetin perëndimor të Arizonës, ku ai mundi demokraten Hillary Clinton me 3.5 përqind më shumë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, tërhoqi dhjetëra mijëra mbështetës dhe protestues në qendër të qytetit Finiks. Autoritetet kishin marrë masa të forta sigurie për të parandaluar dhunën.
Protestuesit hidhnin parrulla provokuese ndaj atyre që prisnin në radhë për të hyrë në sallën e tubimit, duke thirrur: “Turp “, “Nuk ka urrejtje në shtetin tonë”, dhe “Jo Trumpit, Jo KKK-së, Jo një Amerike fashiste”.
Mbështetësit, të cilët mbajtën radhë për orë të tëra në temperaturat e nxehta të Arizonës, thërrisnin: “Ndërtoni muret”. Shumë prej tyre mbanin kapele të kuqe me sloganin e fushatës së zotit Trump “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”.
Pak minuta pasi presidenti kishte përfunduar tubimin e tij në stil fushate elektorale, policia hodhi gaz lotsjellës mes protestuesve jashtë ndërtesës.