SHPËRNDAJE

Drejtori i kompanisë ‘Interpersonnel Kosova’, Musa Ahmeti,  që është partner i kompanisë gjermane ‘DEKRA’ ka thënë se kontratat që bën kompania që ai drejton janë të ligjshme dhe të përhershme me shtetin gjerman.

Ahmeti në “Dossier D” në RV Dukagjini ka thënë se Gjermania kërkon nga vendet ballkanike rreth 70 mijë infermierë, në ndërtimtari rreth 40 mijë, agronomi dhe bujqësi rreth 50 mijë, industri rreth 35 mijë, industrinë e makinave rreth 20 mijë, informatikë dhe teknologji rreth 15 mijë punëtorë.

“Këta punëtorë kanë rroga dhe kushte jashtëzakonisht të favorshme. Ne kemi argumente se një pjesë e mirë e atyre që shkojnë në Gjermani, punojnë dhe nuk shkëputen nga familja. Ata investojnë në Kosovë dhe një pjesë edhe kthehen dhe krijojnë ndërmarrje të vogla dhe të mëdha”, tha ai.

Ahmeti thotë se qëllimi nuk është të largohet stafi mjekësor nga Kosova, por të trajnohen të papunët që dëshirojnë të punojnë në Gjermani.

“Atyre personave dëshirojmë t’u mësojmë gjuhen gjermane në nivelin përkatës ku ata dëshirojnë të punojnë dhe të certifikohen e të përgatiten profesionalisht në mënyrë që kur të shkojnë në Gjermani të kenë një vend pune të garantuar dhe të kenë një apartament ku do të qëndrojnë, të kenë kushtet e punës dhe kontratë pune”, tha ai.