SHPËRNDAJE

Dy persona, njëri 26-vjeç e tjetri 20-vjeç, kanë humbur jetën në autostradën “Ibrahim Rugova”, pasi kanë rënë në humnerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në segmentin Suharekë- Duhël në afërsi të fshatit Sllapuzhan, ku dy të rinjtë duke kaluar mbi urën me Nr. 11 në autostradë, më saktësisht duke kaluar nga një trase në trasenë tjetër të autostradës, kanë rënë në humnerë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:07 të së shtunës.

Në momentin që kanë kaluar mburojën e trasesë së parë të autostradës dhe duke tentuar të kalojnë në trasenë tjetër kanë rënë në humnerë pasi që hapësira në mes dy traseve është afër 3 metra.

“Prokurori më të dalë në vendin e ngjarjes e ka cilësuar si shkaktim të rrezikshmërisë së përgjithshme, më pasojë vdekjen”, ka shtuar Gashi.

Viktimat kanë qenë punëtor të kompanisë së udhëtimeve ( konduktor). Dy të rinjtë që kanë humbur jetën janë identifikuar si A.B i lindur në vitin 1993 dhe G.G i lindur në vitin 1999.

Me urdhër të prokurorit tre shoferë të autobusëve të cilët janë ndalur në autostradë në kundërshtim me ligjet e komunikacionit rrugor, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Të ndaluarit janë M.M i lindur në vitin 1986, Sh.S i lindur në vitin 1969 dhe B.B i lindur në vitin 1980 të gjithë meshkuj, shqiptarë me shtetësi kosovare.