SHPËRNDAJE

Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Katarin, Egjipti i ka dhënë afat prej 48 orësh ambasadorit të Katarit Sejf bin Mukaddem për ta lëshuar vendin.

Në njoftimin e sotëm me shkrim nga Ministria e Jashtme e Egjiptit thuhet se ambasadori i Katarit në Egjipt është thirrur në Ministrinë e Jashtme, ku është informuar se ka afat prej 48 orësh për ta braktisur vendin.

Siç theksohet në deklaratë, përmes një note diplomatike Egjipti edhe zyrtarisht e ka njoftuar ambasadorin e Katarit për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, kurse të ngarkuarit diplomatik të Egjiptit në Doha po ashtu i është dhënë urdhëri të kthehet në Egjipt brenda 48 orëve.

Ndryshe, sot më herët Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Egjipti dhe Jemeni njoftuan për ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin. Bllokadës diplomatike kundër Katarit iu bashkangjitën edhe Ishujt Maldive dhe qeveria libiane e Tebrukut, e cila mbështet gjeneralin puçist Halife Hafter, që nuk ka legjitimet ndërkombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA)

Tensionet diplomatike midis vendeve u përshkallëzuan pas hakimit të agjencisë zyrtare të lajmeve Katar, QNA, në të cilën u publikuan informacione “kundër SHBA-ve dhe pro-Iranit”, të cilat iu atribuuan Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.

Edhe pse autoritetet e Katarit menjëherë kishin dalë me deklaratë për të njoftuar për sulmin kibernetik ndaj QNA-së dhe për të përgënjeshtruar deklaratat e plasuara, mediat e Arabisë Saudite dhe EBA-ve vazhduan të përdorin deklaratat e atribuuara Al Thanit.

Teksa kanalet televizive Al Arabiya dhe SKY News Arabia që transmetojnë nga EBA-të vazhduan me publikimet e tyre edhe krahas deklaratave zyrtare, Arabia Saudite, EBA-të dhe Egjipti ndaluan qasjen në të gjitha mediat me origjinë nga Katari.

Më 3 qershor në internet u përhapën disa e-maile që pretendohet se i përkasin ambasadorit të EBA-ve në Uashington Jusuf el-Utejbe dhe të cilat ishin vjedhë nga grupe hakerësh, në të cilat pohohej se ambasadori ka marrëdhënie të afërta me fondacionin pro-izraelit për Mbrojtjen e Demokracisë (FDD) dhe se përpiqen të zhvillojnë politika të përbashkëta kundër Turqisë dhe Katarit.