SHPËRNDAJE

Garës në zgjedhjet e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, iu është futur edhe një kandidat, njeri kontravers për shqiptarët.

 

Është Demo Berisha, ai i cili është deklaruar kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa dikur dhe ishte pjesëtar i ish-ushtrisë jugosllave dhe ishte pjesëmarrës edhe në luftën në Kosovë ku kishte dhe gradën e kapitenit, njofton Klan Kosova.

 

Se ka qenë pjesë e ushtrisë së Sllobodan Millosheviqit, Demo Berisha ka deklaruar se ndihet krenar.

 

”Jam jashtëzakonisht krenar që kam qenë pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave dhe kam përfunduar karrierën në ushtrinë e Serbisë. Kam qenë pjesëmarrës i luftës në Kosovë, si dhe i të gjitha ngjarjeve nga viti 1991 deri në rastin e agresionit të NATO-s”.

 

Demo Berisha i cili do t’i hyjë garës për zgjedhjet e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë, ka deklaruar po ashtu se ka lindur në Pejë dhe tani jeton në Vojvodinë, por nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe që atdheut i tij është Serbia.

 

Në debatin televiziv të zhvilluar dy vjet më parë në medium serb Kanal 9, ai ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë ndërsa krimet që ushtria serbe ka kryer para luftës dhe gjatë luftës në Kosovë nuk e kanë penguar atë aspak të qëndronte në ushtrinë serbe.

 

 

Derisa vazhdon ta thërras Kosovën si ”Kosova e Metohi”, ai mendon se nuk është shqiptari i vetëm që mendon kështu, prandaj, dhe ka themeluar më 2014-ën, në Serbi, organizatën joqeveritare ”Ama e Shqiptarëve të Serbisë” (Matica Albanaca Srbije – MAS).

 

Sipas tij ka 4600 antarë në territorin e Vojvodinës nga 6000 shqiptarë, që sipas Berishës ka në Vojvodinë, ndërsa në tërë tërritorin e Serbisë thotë se ka mbi 180.000 shqiptarë. Ai deklaron se shoqata merret me marrëdhëniet shqiptaro-serbe, dhe për më shumë, avancimin e të disa të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

 

  • Ndryshe, Këshilli Nacional i Shqiptarëve merret ekskluzivisht me të drejtat e shqiptarëve në Serbi, simbolet kombëtare, gjuhën dhe shkrimin shqip, arsimin dhe informimin.