SHPËRNDAJE

Një gjykatë e apelit në Holandë ka vendosur sot se qeveria holandeze ishte pjesërisht përgjegjëse në vdekjen e rreth 300 burrave myslimanë, të cilët u vranë nga forcat serbo-boshnjake në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.

Vendimi që gjykata holandeze e mori sot e mban kryesisht në fuqi vendimin e një gjykate civile nga vitit 2014 i cili thekson se shteti holandez ishte përgjegjës në vdekjen e burrave myslimanë të Bosnjës, të cilët ishin dorëzuar nga paqeruajtësit holandez të OKB-së te forcat serbo-boshnjake në korrik të vitit 1995 dhe si pasojë ishin vrarë.

Gjykatësi kryesues i Gjykatës së Apelit të Hagës, Gepke Dulek, ka thënë se burrat myslimanë të Bosnjës të vrarë nga forcat serbo-boshnjake ishin privuar nga mundësia për të mbijetuar sepse ushtarët holandezë i kishin dërguar ata jashtë kompleksit holandez bashkë me refugjatët e tjerë që po kërkonin strehim atje.

Ata ishin në mesin e rreth 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë të vrarë nga forcat serbo-boshnjake në masakrën më të rëndë të Evropës që nga lufta e Dytë Botërore.