SHPËRNDAJE

Gzim Hoxha bashkë me dy djemtë e tij, Rrezonin dhe Rrethimin, kanë dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake, si të dyshuar për plagosjen e katër personave – pardje në qendër të Pejës.

Gzim Hoxha, kur foli në gjykatë për atë që ndodhi të mërkurën, tha se ditën kritike qëllimi ishte të zhvilloheshin bisedime dhe jo të sulmoheshin personat me inicialet N. K e B. K. Për këto bisedime ai tha se u ftua përmes telefonit nga B. K.

“Mua me ka thirrë përmes telefonit të takohemi me folë, njëfarë mënyre me forcë. Më ka thirrë B. K. duke me thënë eja në Pejë se kam punë me ty dhe më ka thënë mos më fol si kurvat me atë zo në telefon, po eja shpejt”, tha Gzim Hoxha.

Hoxha më tutje tregoi se nga B. K. ishte ftuar për të biseduar rreth një prone që tha se ishte në pronësi të tij.Ai bëri të ditur se në këtë pronë ka një lokal, ndërsa u ankua se që 17 vjet kishte pasur provokime nga B. K. e N. K.

“Kanë pirë pa paguar, kanë thyer, kanë ba zullum. Jam ankuar te prindi i tyre përpara, po më ka thanë se fëmija nuk me dëgjojnë”, tha Gzim Hoxha në gjykatë.

Ai deklaroi se për të biseduar me ta i kishte marrë me vete edhe babanë e tij dhe djemtë.

“Po të kisha dashtë m’i sulmuar, nuk i kisha marrë djemtë me veti edhe plakun. Fjalën e parë i ka thanë babës ta shti me hangër… (ofenduar), unë jam larguar prej tavoline. Tamon jam shkuar tek kerri, e kom pa ma kanë rrethuar djalin (Rrezonin). Po të isha vonuar edhe një minutë, ma kishin therur djalin”, tha ai në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Rrezon Hoxha, i dyshuari tjetër për plagosjet në Pejë e që me profesion është avokat, deklaroi se ndjen keqardhje për atë që ndodhi. Ai megjithatë veten e konsideroi më të rrezikuarin në ditën kur ndodhën plagosjet.

“Ne kemi bërë përpjekje ditën kritike, përmes gjyshit tonë, i cili është një njeri i matur, me gjet mirëkuptim, me bisedua, po kanë qenë rrethana të pashmangshme. Në atë ditë kritike unë kam qenë më i rrezikuari, sepse me kanë shti si në senduiq, po këto do shpjegohen me vonë”, tha Rrezon Hoxha.

Prokurorja Sahide Gashi kërkoi paraburgim për të dyshuarit, me arsyetimin se po të ndodhen në liri ekziston mundësia e ikjes së tyre, ndërsa tregoi se Prokuroria ka nisur hetimet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ajo tregoi se si ndodhi ngjarja.

“Të pandehurit, pasi kanë shkuar në vendin e lartcekur për të biseduar me të dëmtuarit rreth një kontesti pronësor, fillon kacafytja, ku i pandehuri Gzim nxjerr armën AK47, sikurse edhe të pandehurit Rrethim e Rrezon me revole kanë shtënë në drejtim të viktimave të cilët i plagosin rëndë në pjesë të ndryshme të trupit dhe si pasojë e këtyre gjuajtjeve plagosen edhe dy kalimtarët, këtu të dëmtuarit B.R dhe B.L”, tha Gashi.

Arben Kelmendi, avokat mbrojtës i Gzim Hoxhës kërkoi që të mbrojturit të tij t’i caktohet arresti shtëpiak, pasi tha se Hoxha ka bashkëpunuar me Policinë pas ngjarjes së ndodhur në Pejë.

Avokatja Aurora Mulhaxha, që sipas detyrës zyrtare mbronte Rrethim Hoxhën, kundërshtoi masën e paraburgimit të propozuar nga prokurorja Gashi, me arsyetimin se i mbrojturi i saj nuk ka dashur ta vrasë askënd.

“Municioni i gjetur në armën e konfiskuar tregon se nuk ka dashur ta përfundojë veprën penale”, tha ajo.

Edhe Ramë Dreshaj, avokati i Rrezon Hoxhës, kundërshtoi caktimin e masës së paraburgimit.

Caktim të arrestit shtëpiak dhe jo paraburgim për Rrezon Hoxhën, kërkoi edhe babai i tij Gzim Hoxha, me fjalët se familja ka mbetur pa përkujdesje.

Më pas, gjatë ditës, në një komunikatë të lëshuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejës, Selvane Bukleta, u bë e ditur se njërit nga të dyshuarit i është caktuar paraburgimi e dy të tjerëve arresti shtëpiak.