SHPËRNDAJE

Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga koalicioni parazgjedhor AAK–PSD, Granit Shala, përmes linjës telefonike i tha gazetës lokale të Pejës ‘Zarfi Info’, se qytetarët e Kosovës të cilët ua kanë besuar votën, pas 6 tetorit presin ndryshime sikurse u janë premtuar gjatë fushatës zgjedhore.

“Pas zgjedhjeve të 6 tetorit qytetarët e Kosovës presin ndryshime. Andaj, duhet të jemi të matur dhe mos të premtojmë atë se çka nuk kemi mundësi ta realizojmë. Ka shumë prej qytetarëve që janë të zhgënjyer për arsye të shumta, por votojnë vetëm për ta kryer obligimin e tyre ndaj vendit, ndërsa të zgjedhurit e tyre duhet të punojnë dhe ta shohin votën e secilit qytetar sikurse diçka të shenjtë.

Jam i bindur se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve po votojnë për ta ‘testuar’ politikën e vendit për të mos votuar më kurrë. Këtë e them me plot bindje, sepse shumë herë flitej në fushata se nëse edhe në këtë vit, nuk do të ketë ndryshime në vend, asnjëherë nuk do të dalin në zgjedhje”, tha kandidati Shala.

Ai, gjithashtu tha se i vetmi politikan i cili duhet të jetë në krye të vendit është lideri Haradinaj, sepse siç tha ai, kontributi i tij për lirinë, pavarësinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës është i pazëvendësueshëm.