SHPËRNDAJE

I ftuari i radhës i Gjykatës Speciale është Rilind Berisha i cili njëherit është edhe zyrtar në Ministrinë e Drejtësisë.

Këtë e ka bërë të ditur vet Berisha i cili tha se do të paraqitet në Speciale më 5 gusht duke thënë se nuk e di arsyen e ftesës.

“Të nderuar miq, me datë 18.07.2019 kam marrë ftesën ma të befasishme në jetën time. Më 5 gusht duhet të paraqitem para Gjykatës Speciale në Hagë. Nuk e di arsyen për të cilën do të intervistohem, nëse veç mund ta përdorim termin arsye për këtë gjykatë krejtësisht të paarsyeshme”, ka shkruar ai në Facebook.

Por, çfarë është më e çuditshme është fakti se Berisha kishte qenë në moshë 11 vjeçare gjatë kohës së luftës në Kosovë – kohë për të cilën vepron Gjykata Speciale.

E për këto ftesa ‘të çuditshme’ të Speciales, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj po thotë se kanë për qëllim zhvlerësimin e luftës së UÇK-së.

Haradinaj tha gjithashtu se po tentohet të baraspeshohen masakrat serbe me luftën e UÇK-së.

“Unë nuk e di konkretisht diçka për Rilindin, nuk e di pse është ftuar. Por mos të befasohemi ne kemi pasur edhe 14 vjeçar në luftë, por derisa janë ka thirrin edhe mjekë, kjo ka marrë karakter politik tanimë. Thjesht, ne OVL kemi thënë se ka qëllim zhvlerësimin e luftës së UÇK-së dhe baraspeshimin me masakrat serbe që i kanë bërë, derisa është gjykatë e njëanshme këtu nuk ka asgjë të kuptimtë më. E keqja është që e morën vesh tani shumica, se është dashur ta dinë më herët ata që e kanë votuar”, tha Haradinaj për lajmi.net.

Më tutje, Haradinaj tha se nuk ndihet i befasuar më tutje me Gjykatën Speciale e cila sipas tij nuk i ngjason drejtësisë.

“Të them të drejtën, më nuk befasohem. Vetëm një gjë më befason, se kjo nuk i ngjason jurisprudencën dhe të drejtën evropiane, këto janë bërë në kohën e monizmit veç”, tha Haradinaj.

Ndërsa, avokati i akredituar nga Specialja, Tomë Gashi ka një shpjegim për këtë.

Ai është shprehur se Kodi Penal i Kosovës dhe Ligji për Gjykatën Speciale nuk lejon të ndiqen penalisht të miturit, por sipas tij, Berisha mund të jetë ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

“Sigurisht që Kodi Penal i Kosovës por edhe Ligji për Gjykatën Speciale nuk lejon që askush të ndiqet penalisht nëse ka qenë në moshë të mitur. Dhe në moshë të mitur askush nuk ka përgjegjësi penale, por duhet të definohet se për çfarë është ftuar ai, mund të jetë ftuar në cilësinë e dëshmitarit për të dhënë sqarime eventuale, por tjetër arsye nuk ka”, tha Gashi për lajmi.net.

Sipas avokatit Gashi mund të ketë edhe ndonjë gabim eventual sa i përket moshës dhe identitetit të tij, por, ka theksuar faktin se nëse gjatë periudhës kohore të viteve 1 janar, 1998 dhe 31 dhjetor 2000, personi në fjalë ka qenë i mitur, atëherë nuk mund të ndiqet penalisht.

“Kështu që kjo mund të jetë gabim ose eventualisht nëse nuk kanë të dhëna të sakta për moshën e tij gjatë periudhës kohore 98 – 99, por definitivisht, është e pamundshme që dikush në moshë të tillë, po flas gjatë vitit 98 – 99, për shkak të kohës me të cilën merret Gjykata Speciale që është 1 janari i vitit 1998 deri 31 dhjetor të vitit 200, nëse gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë nën moshën 18 vjeç, ky dhe askush tjetër nuk ka përgjegjësi penale dhe mund ta ketë vetëm një vikend të bukur në thojza po them në Hagë”, tha Gashi.

Gashi nënvizoi faktin se në rastin e dëshmitarit mosha nuk është e përcaktuar, ani pse zakonisht në mosha të vogla nuk merren në pyetje.

“Rasti e dëshmitarit nuk është e përcaktuar mosha, por zakonisht në mosha të vogla nuk merren në pyetje dhe nëse ka qenë atëherë në moshën e re dhe tash është madhor besoj që nuk është problem të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, por assesi në cilësinë e të dyshuarit”, tha Gashi.

Gjykata Speciale muajin e fundit ka filluar një fazë të re të ftesave për intervistim ku u ftuan edhe figura të mëdha të UÇK-së si Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi, Bislim Zyrapi e Sokol Bashota.

Mbrëmë nga kjo Gjykatë ftesë ka pranuar edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj.