SHPËRNDAJE

Në kohën kur tensionet në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut po shtohen, duket se Presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka përkrahjen e plotë të shteteve që bëjnë pjesë në aleancën e NATO’s.

Gazeta gjermane ‘Handelsblatt’ shkruan se kancelarja Angela Merkel ka thënë që Gjermania nuk do të rreshtohet automatikisht përkrah Washingtonit, nëse ky i fundit vendos që të hyjë në ndonjë konflikt ushtarak me shtetin komunist të Kim Jong-unit.

Sipas gazetës, Merkel nuk e sheh opsionin ushtarak si zgjidhje të çështjes së kërcënimit që vjen nga Koreja Veriore.

“Merkel e sheh një konflikt ushtarak me Korenë shumë të gabuar”, shkruan Handelsblatt, transmeton Gazeta Metro.

Kriza në mes të Amerikës dhe Koresë së Veriut është intensifikuar disa herë gjatë muajve të fundit, sidomos pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit. Kjo pasi Amerika e sheh shtetin aziatik si kërcënim nuklear, kurse regjimi i Kim Jong-un frikësohet nga ndonjë ndërhyrje amerikane brenda shtetit.