SHPËRNDAJE

Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, kështu thotë Marko Gjuriq.

Serbia në kuadër të normalizimit të raporteve me Kosovën nuk do ta pranojë as në mënyrë të tërthortë dhe as të drejtpërdrejtë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar të mërkurën shefi i të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në bisedën me ambasadorin e Izraelit në Serbi, Jahel Vilan.

Gjuriqi ka theksuar se dialogu në Bruksel aktualisht është “peng i mosgatishmërisë së Prishtinës që ta zbatojë obligimin e marrë përsipër para shtatë vjetësh e gjysmë, për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Duke folur rreth marrëveshjes së nënshkruar në Uashington, në fillim të muajit, Gjuriqi ka thënë se pret që Izraeli, në frymën e miqësisë tradicionale “të vazhdojë të ketë respekt për interesat serbe”.

“Populli serb do të vazhdojë ta shohë popullin hebre si një mik dhe të dy popujt do të vazhdojnë të luftojnë së bashku kundër rishikimit të historisë dhe për të vërtetën rreth vuajtjeve të përbashkëta,” vuri në dukje Gjuriq.