SHPËRNDAJE

Reagon ashpër Ministria e Punëve të Jashtme greke, pas prishjes së disa ndërtimeve pa leje në Dhërmi.

“Shqipëria po shkel ligjet e veta dhe të drejtat e minoritetit grek në vend”, thuhet në reagim, teksa më tej shtohet se me këto veprime, “Shqipëria nuk e do avancimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.

“Greqia mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë atë të Shqipërisë. Por një kusht për rrugën evropiane të këtyre vendeve është besnikëria ndaj rregullimeve dhe principeve evropiane për sundimin e ligjit. Dhunimi i këtyre principeve nga një shtet kandidat nënkupton se, në realitet, ky shtet nuk e do kursin evropian”, thuhet në një deklaratë për shtyp nga Ministria e Jashtme greke, raporton “Panorama”.

Sipas Athinës zyrtare, autoritetet po i kryejnë këto shkatërrime në kulmin e sezonit turistik veror, dhe se kjo sipas saj “konfirmon se Shqipëria nuk i ka kuptuar kërkesat e Këshillit të Ministrave të BE-së”.

Ministria greke tha se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave të minoritetit “janë vendosur nga Këshilli i Ministrave të BE-së si një ‘sine quan non’ për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë”.

Por në deklaratë thuhet se fatkeqësisht, në mospërputhje totale me sundimin e ligjit, autoritetet shqiptare sot nisën shembjen e disa pronave të turizmit në Dhërmi, Himarë, në pronësi të anëtarëve të minoritetit grek.